“BE për Shkollat” rindërton më mirë dhe ndihmon në ruajtjen e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm

UNDP albania
5 min readFeb 23, 2023

--

Nga: Nora Kushti

“Gërmimet nxjerrin në pah struktura dhe artefakte antike që hedhin një dritë të re mbi historinë e hershme të Durrësit”.

Teksa rrezet e para të diellit ranë mbi qytetin e Durrësit, arkeologia Iris Pojani nuk priste surpriza në kantierin e ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”. Por, pas punimeve fillestare për shembjen e shkollës, ajo u befasua sepse dolën në dritë gjurmë të rëndësishme arkeologjike. Këto zbulime, nga sondazhet e para nxitën gërmime në shkallë të gjerë dhe Irisi filloi punën për evidentimin e thesareve të fshehura nën tokë.

Gjatë procesit të gërmimeve në kantierin e ndërtimit të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”

Si rezultat i zbulimeve arkeologjike, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore vendosi që çdo strukturë e nxjerrë në pah të mbrohej e të ekspozohej. Por, ky zbulim paraqiti edhe një sfidë për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”, pasi nga vendimi u kërkua zhvendosja e gjurmës se godinës dhe rikonceptimi i projektit të saj. Respektimi i protokolleve ligjore ndihmoi në sigurimin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe harmonizimin e saj me ndërtimin.

Teksa realizonin gërmimin arkeologjik, Irisi dhe ekipi i arkeologëve ishin tejet të emocionuar për përfshirjen e tyre në këtë projekt kaq kompleks. Zbulimi i rrënojave antike duket sikur ringjallte historinë e pasur të një qyteti që dikur lulëzonte.

Gjatë kësaj veprimtarie, Irisi dhe ekipi nxorrën në dritë një monument të jashtëzakonshëm, një fragment të murit rrethues të qytetit, si dhe gjetje të tjera të periudhave më të hershme të qytetit. Ky monument ndante pikërisht hapësirën urbane, funerare dhe zonën e shenjtë të qytetit, duke dhënë njëkohësisht edhe informacione të vlefshme rreth historisë së hershme të qytetit dhe shtrirjes së prapatokës përreth tij.

Arkeologia Iris Pojani, gjatë inspektimeve dhe mbikëqyrjes së gërmimeve arkeologjike

Gjatë muajve në vijim, Irisi dhe ekipi punuan pareshtur për të zbuluar të tjera të dhëna për qytetin e lashtë, duke gërmuar “thesaret e fshehura” të Durrësit. Ekipi zbuloi edhe artefakte të lidhura me jetën e përditshme të banorëve të lashtë, duke zbuluar më shumë rreth urbanistikës së qytetit, shoqëruar me një sistem kompleks rrugësh dhe ndërtesash, duke ilustruar planifikimin e tij mbresëlënës urban. Gjetjet e arkeologëve kontribuan në njohuri të shtuara për historikun e qytetit dhe theksuan edhe njëherazi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Irisi u fokusua në realizimin e gërmimeve të sakta dhe të kujdesshme. Të gjitha gjetjet u dokumentuan me përpikërinë më të madhe dhe u ruajtën sipas standardeve më të larta.

Pas prezantimit të gjetjeve, Ministria e Kulturës vendosi të ruajë murin dhe kullat në tërësinë e tyre, struktura që datojnë që në epokën arkaike dhe në vazhdim, si dhe të zhvendosë themelet e shkollës në një zonë pa gjetje. Për të lejuar vizitat në sitin e ri arkeologjik, pa cënuar hapësirën e shkollës, do të projektohet një hyrje e veçantë posaçërisht për aksesin në monument.

Arkeologia Pojani dhe ekipi i saj propozuan edhe ndërtimin e një muzeu me koncept didaktik brenda mjedisit të shkollës. Projekti “BE për Shkollat” do të ndërthurë në këtë sit muze gjetjet arkeologjike dhe historikun e qytetit me shkollën e re.

Cilat janë zbulimet e deritanishme?

Krahas strukturave murale, në kantier janë mbledhur shumë artefakte gjatë gërmimit arkeologjik. Aktualisht, ekspertët po punojnë per përpunimin e gjetjeve. Janë evidentuar objekte të ndryshme qeramike, si p.sh. amforat (enë të mëdha) dhe një numër i madh kapakësh. Gjithashtu janë nxjerrë në dritë enë qeramike me forma të ndryshme, vazo me figura të zeza dhe të kuqe, sëbashku me kandile etj. Janë zbuluar gjithashtu dhe figurina terrakote me paraqitje njerëzore si dhe ato te kafshëve.

Disa nga zbulimet e deritanishme nga gërmimet arkeologjike

Një histori zhvillimi që integron arkeologjinë urbane

Sondazhet arkeologjike në kantierin e ri, filluan në nëntorin e vitit 2022, duke i paraprirë rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”. Tashmë, procesi i gërmimit ka përfunduar dhe rindërtimi i shkollës po vazhdon me ritme të shpejta në përputhje me rregullat e ligjet.

Zbulimet e bëra gjatë gërmimit kanë nxjerrë në pah fakte të reja mbi shoqërinë e lashtë që jetonte asokohe në atë zonë, duke ofruar këndvështrime të vyera për praktikat e tyre kulturore dhe zhvillimin ekonomik. Ekipi i arkeologëve vijon punën post gërmimit për përpunimin e gjetjeve dhe për të shpjeguar më tej historinë e panjohur të sitit të porsazbuluar.

Gjatë një vizite në vendin e gërmimit, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së Monica Merino shprehu vlerësimin për projektin, duke thënë: “Projekti ‘BE për Shkollat’ është më shumë se sa thjesht ndërtimi i një shkolle. Ai përfaqëson një angazhim për ruajtjen e trashëgimisë së pasur kulturore të Durrësit me synim që brezat e ardhshëm ta vlerësojnë dhe ta gëzojnë. Jemi krenarë tek shohim se kjo strukturë arsimore jo vetëm ofron mundësi më të mira për fëmijët, mësuesit dhe komunitetin, por mbron edhe trashëgiminë kulturore të qytetit.”

Shkolla do t’u ofrojë nxënësve të saj një përvojë unike dhe gjithëpërfshirëse mësimore, të “rrethuar” nga historia e pasur e qytetit të tyre.

Teksa arkeologia Pojani largohet nga kantieri, ajo e di se shkolla do të shërbejë si simbol i qëndrueshmërisë së Durrësit dhe si një testament i rëndësisë së ruajtjes së trashëgimisë kulturore, që brezat e ardhshëm ta gëzojnë dhe të mësojnë prej saj.

Programi “BE për Shkollat” është investimi më i madh i BE-së për arsimin në Shqipëri. Përmes një buxheti prej 75 milionë eurosh, 63 institucione arsimore po rindërtohen ose riparohen, nga të cilat përfitojnë rreth 25,000 nxënës, fëmijë, mësues. Programi “BE për shkollat” zbatohet nga UNDP në Shqipëri.

--

--

No responses yet