Dy vite pas tërmetit: #EU4Schools ka rikthyer shpresën

Dy vjet më parë, mëngjesi i 26 nëntorit e gjeti Shqipërinë në agoni të plotë pas një tërmeti me magnitudë 6,4 që la pas 51 viktima. Më shumë se 1000 pasgoditje të tjera dëmtuan më tej shtëpitë, institucionet arsimore, ndërtesat publike dhe private. Tërmeti la pas qytete të paralizuara dhe komunitete të pashpresa. Ai pati një faturë të rëndë në objektet arsimore, duke lënë mijëra fëmijë të traumatizuar dhe pasiguri për arsimin e tyre në të ardhmen.

Por papritur lindi një rreze shprese. Më 17 shkurt 2020, Bashkimi Evropian organizoi në Bruksel Konferencën e Donatorëve Ndërkombëtarë “Së bashku për Shqipërinë”, që kishte si synim mbështetjen e Shqipërisë në përpjekjet e saj të rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar. Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe Qeveria e Shqipërisë kryen një Vlerësim të Nevojave pas Fatkeqësisë, i cili shërbeu si mjet orientues për konferencën dhe si bazë për përpjekjet e rindërtimit dhe rimëkëmbjen. Komisioni Evropian premtoi 115 milionë euro nga buxheti i BE-së për rindërtimin e shpejtë dhe rehabilitimin e objekteve kyçe publike.

Nxënësit duke shijuar fushën e re sportive

Shumë shpejt pas kësaj erdhi në jetë programi #EU4Schools me një vlerë 75 milionë euro, duke sjellë shpresat për një të ardhme më të mirë për nxënësit, mësuesit dhe fëmijët në 11 bashkitë më të prekura — një veprim mbështetës fisnik, nga i cili përfitojnë brezat më të rinj të vendit. Programi që zbatohet nga UNDP, e cila ka investuar gjithashtu edhe 765,000 euro, është duke rikonstruktuar ose riparuar 63 institucione arsimore gjithsej.

Dy vite pas tërmetit, fëmijët dhe mësuesit tregojnë në vetë të parë përvojat e tyre.

“Tërmeti e shkundi shkollën tonë. Ndërtesa i bëri ballë lëkundjes së fortë, por mbeti me plasaritje të mëdha në muret e saj. Ishte dëshpëruese ta shihje shkollën në atë gjendje. Ajo skenë e rrënojave do të mbetet gjatë në kujtesën time”- thotë Dea, një 15-vjeçare që mëson në shkollën 9-vjeçare “Demokracia” në Mamurras, bashkia Kurbin, një nga më të prekurat nga tërmeti.

Dea Hetaj, nxënëse në shkollën 9-vjeçare “Demokracia”, Mamurras, Bashkia Kurbin

“Na u desh t’i ndiqnim orët e mësimit në një shkollë aty afër duke funksionuar me dy turne. Ai ambient ishte “i huaj” për ne. Mësimi ishte i vështirë. Një ditë mësuam që shkolla jonë mund të riparohej plotësisht. Pasi një njoftim në “Facebook” na ftonte të merrnim pjesë në një takim, nxënësit, prindërit, mësuesit u mblodhën së bashku për të diskutuar rreth projektit të shkollës që do të plotësonte më së miri nevojat tona”.

Viti i ri mësimor e gjeti Dean dhe 115 nxënës të tjerë në një shkollë të rinovuar me klasa me ndriçim të mirë, palestër, fushë sportive, një laborator kimie, bibliotekë, banka dhe dërrasa të zeza të reja.

“Nuk do ta kisha imagjinuar më të mirë. Më pëlqen shumë shkolla ime e re. Ajo e ka bërë të mësuarin më tërheqës. Në të ardhmen dëshiroj të bëhem fizikante. Laboratori i fizikës është një ëndërr që u realizua. E gjithë shkolla është e tillë. Ndihem me fat!”- thotë Dea.

Në Qerekë, drejtori i shkollës 9-vjeçare “Korb Muca”, z. Sazan Shira kujton: “Shkolla e mëparshme ishte në kapanonet e vjetra të një ish-reparti ushtarak dhe nuk plotësonte kushtet e nevojshme për mësim. Nga shiu shpesh përmbytej dhe nxënësit mund ta kalonin hyrjen e shkollës duke ecur mbi një shteg të improvizuar zhavorri, së bashku me prindërit”- tha ai.

Sazan Shira, Drejtor i shkollës 9-vjeçare “Korb Muça” & kopshtit “Evropa”, Qerekë, Bashkia Krujë

“Shkolla priti këtë vit të ri mësimor 130 nxënësit e saj. Numri i nxënësve është rritur në krahasim me vitet e mëparshme. Është kaq frymëzuese të shohësh që orët e mësimit zhvillohen në një ambient që u mundëson fëmijëve të mësojnë dhe të rriten. Tani e kemi vendosur theksin te rezultatet dhe kam kënaqësinë të them që ato janë përmirësuar. Shkolla është ndërtuar sipas standardeve evropiane dhe ka laboratorë modernë që u ofrojnë nxënësve përvoja praktike duke çuar përpara ndjeshëm të mësuarin, ka palestër dhe ambiente sportive — që të gjitha plotësisht të aksesueshme nga fëmijët me aftësi të kufizuara”, shprehet ai.

Shkolla 9-vjeçare “Korb Muça” në Qerekë, Bashkia Krujë (para rikonstruktimit)
Klasë në shkollën 9-vjeçare “Korb Muça” në Qerekë, Bashkia Krujë (pas rikonstruktimit)

“Ne pamë dhe diskutuam projektin e kopshtit që na u paraqit i printuar. Jemi të lumtur të shohim që ai plan u shndërrua në një kopsht të bukur për fëmijët. Ky është një fillim i mbarë për arsimimin e hershëm të vajzës sime”- shprehet Anila, prind i një vajze 3-vjeçare që frekuenton kopshtin “Evropa” në Qerekë.

Deri më sot, 19 shkolla kanë përfunduar. Rreth 6000 fëmijë po mësojnë në ambiente të reja dhe moderne, njëlloj si moshatarët e tyre në një vend të Bashkimit Evropian.

Në procesin e rindërtimit, UNDP ka ndërthurur dy parime themelore: #RindërtojmëMëMirë dhe #RindërtojmëSëBashku. #RindërtojmëMëMirë nënkupton struktura më të forta që mund t’u rezistojnë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, duke pasur standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë. Të 63 objektet arsimore nga të cilat përfitojnë 24 000 nxënës dhe mësues do të kenë burime të energjisë së rinovueshme, do të jenë plotësisht të aksesueshme nga nxënësit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do të kenë hapësira të dedikuara për kujdesin mjekësor dhe mbështetjen psikologjike.

Parimi #RindërtojmëMëMirë ka ofruar mundësinë unike për të përfshirë përfituesit në rindërtimin e institucioneve të tyre arsimore dhe për ta “përshtatur” projektin sipas nevojave të tyre. 58 takimet konsultuese dhe 16 “kontrollet në vend” të organizuara deri më tani kanë mbledhur së bashku rreth 1900 nxënës, fëmijë, prindër, përfaqësues të qeverisjes vendore dhe të institucioneve vendore — duke nxitur kështu edhe pronësinë dhe qëndrueshmërinë e investimit.

Dea dhe shokët e saj e shikojnë me vetëbesim të ardhmen. Ata e dinë se arsimi është çelësi i tyre për të hapur dyert drejt një jete më të mirë. EU4Schools e ka hapur tashmë këtë derë.