Emira: Një histori transformimi
Nga: Nora Kushti
Emirën, një vajzë 9-vjeçare, e “pikasa” mes fëmijëve të tjerë, në Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin” në Durrës. Më bëri përshtypje “qetësia” e saj, ndërsa gishtat skiconin me mjeshtëri një zog fluturues.
Arti i saj, i mbushur me ngjyra të gjalla, më mahniti.
Edhe pse Emira fliste pak, sytë e saj përcillnin një thellësi emocioni që fliste shumë.
Shumë shpejt mësova se fëmijëria e Emirës ishte e mbushur me pikëllim nga dhuna e ushtruar rregullisht nga babai i saj.
E ëma e pati denoncuar dhunën, por më vonë e kishte tërhequr atë.
Në mënyrë tragjike, dhuna u përshkallëzua, derisa rezultoi në vrasjen fatale të nënës së Emirës, në prani të saj dhe vëllezërve.
Imagjinoni tre fëmijë jetimë, të mbytur nga pikëllimi për nënën e tyre, e pa mbështetje. Në orën e tyre më të errët, tezja e Emirës u erdhi në ndihmë, duke marrë rolin e kujdestares dhe duke u bërë mbrojtësja e tyre ligjore.
Emira dhe vëllezërit e saj ishin të dëshpëruar për ndihmë. Dhe kur kërkon ndihmë me vendosmëri, ajo shpesh e gjen rrugën drejt teje.
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Durrës, e cila funksionon në partneritet me Bashkinë dhe organizatën e shoqërisë civile “Sot për të Ardhmen”, u erdhi në ndihmë.
Pas një referimi nga shërbimi psiko-social i shkollës, Qendra i ofroi mbështetje akademike Emirës, e cila përballej me sfida në shkollë, të shoqëruara këto nga plagët e së kaluarës së saj.
Ajo mori pjesë në programin “Pas Shkollor”, i “ndërtuar” për fëmijët nga komunitetet në nevojë, si romët, egjiptianët dhe personat me aftësi të kufizuara. Është një program ku zhvillohen aftësitë thelbësore të të mësuarit, e ku fëmijët fuqizohen të përqafojnë potencialin e tyre të plotë.
Tezja e Emirës dhe bashkëshorti i saj gjetën gjithashtu mbështetje të paçmueshme tek Qendra “Fuqizojmë Komunitetin”.
Burokracitë për pagesat e bursave dhe ndihma për jetimët, u bënë me e menaxhueshme, falë udhëzimeve që ata morën. Të dy morën pjesë aktive në programin e këshillimit të punësimit të ofruar nga qendra. Kjo reflekton një qasje gjithëpërfshirëse ndaj mirëqenies dhe perspektivës së familjes.
“Çdo fëmijë mund të lulëzojë me mbështetjen e duhur. Ne besojmë në fuqinë e artit si terapi, dhe përparimi që kemi parë tek Emira është i shkëlqyer. Nga një fëmijë i tërhequr, ajo “ka lulëzuar” dhe është bërë një pjesëmarrëse aktive, duke u angazhuar me bashkëmoshatarët dhe duke përparuar në shkollë.” — thotë Fabiola Laco, kryetare e organizatës së shoqërisë civile.
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Durrës ofron shërbime sociale të integruara, thelbësore për ata që kanë më shumë nevojë. Në partneritet të ngushtë me profesionistët e vijës së parë, Qendra ofron ndihmë të specializuar për gratë dhe vajzat, viktimat e dhunës, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, fëmijët në nevojë, të rinjtë dhe personat nga familjet me sfida socio-ekonomike, duke përfshirë ketu gratë kryefamiljare.
Duke filluar nga gushti i vitit 2023, Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Durrës ka mbështetur 124 persona: 89 fëmijë dhe 35 të rritur.
Nga fëmijët që marrin ndihmë, 29 i janë bashkuar programit “Pas Shkollor”. Të gjithë vijnë nga familje me sfida të mëdha ekonomike si psh, fëmijë nga komunitetet rome dhe egjiptiane, fëmijë me aftësi të kufizuara, jetimë dhe ata që kanë vështirësi në mësim-nxënie.
Gjithashtu, shërbimet e lëvizshme të Qendrës kanë identifikuar dhe ndihmuar 73 persona, duke ofruar shërbime si logopedi, mbështetje psikologjike dhe fuqizim ekonomik.
Përmes Programit të Mentorimit të Punësimit, gratë, duke përfshirë ketu gratë kryefamiljare dhe të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, gjejnë mentorim, trajnime dhe mundësi te tjera, duke rindezur shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë.
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Durrës është krijuar si pjesë e programit “Fuqizojmë Komunitetin” të financuar nga USAID dhe zbatuar nga UNDP Shqipëri.
Qëllimi kryesor është fuqizimi i komuniteteve vulnerabël, rritja e qëndrueshmërisë së tyre dhe trajtimi i faktorëve themelorë të përjashtimit social, margjinalizimit, diskriminimit dhe dhunës me bazë gjinore. Tre qendra “Fuqizojmë Komunitetin” janë ngritur në bashkitë Durrës, Kurbin dhe Lezhë.
Këto qendra funksionojnë si qendra multi-sektoriale të pajisura me sisteme të paralajmërimit të hershëm, mekanizma referimi, rrjete ndërveprimi dhe partneritete me institucionet përkatëse dhe ofruesit e shërbimeve, si në nivel bashkiak ashtu edhe në atë rajonal.
Me sytë nga e ardhmja
Ndërsa shikoj nga e ardhmja, imagjinoj “kanavacen” e mrekullueshme që Emira, artistja e re, “do të pikturojë me jetën e saj”.
Në një milion ngjyra, here të gëzueshme dhe herë melankolike, ajo do të krijojë një kryevepër që shërben si frymëzim për të gjithë.
Kur komunitetet marrin mbështetjen e duhur, fuqizohen dhe bëhen bashkë, e ardhmja të ofron mundësi të pafundme.