“EU4Schools” — Investim në arsimin e hershëm për fëmijët dhe shoqërinë

UNDP albania
5 min readMar 7, 2021

Mamaja e Enit nuk mund të ishte më e lumtur që vajza e saj do të rikthehet në kopshtin e saj tërësisht të rinovuar së shpejti. Ajo është e emocionuar pasi beson se përvoja e parë mësimore e vajzës do të përcaktojë qasjen e saj ndaj shkollës në vitet në vijim.

“E pashë projektin në letër dhe në mënyrë të vazhdueshme kam kontrolluar ecurinë e punimeve në kopsht, dhe jam e kënaqur që shoh se planet në letër janë materializuar në një realitet të prekshëm. Ky është një fillim shumë i mirë për arsimimin e vajzës sime. Kam biseduar me prindërit e tjerë, të cilët po presin me padurim që të dërgojnë fëmijët e tyre në këtë ambient të ri dhe modern,” thotë Anila.

Prindër, mësues dhe pjesëtar të komunitetit u konsultuan për objektetet e reja arsimore që në nisje të programit.

“Kopshti i vjetër nuk ishte mjaftueshëm i përshtatshëm për t’i shërbyer nevojave të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ambienti i ri është plotësisht i aksesueshëm, çka përbën një ndryshim rrënjësor për këta fëmijë. Në kopshtin e vjetër mungonte ndriçimi i përshtatshëm. Gjatë konsultimeve, sugjeruam zgjerimin e dritareve për të lejuar hyrjen e dritës natyrale. Fëmijët janë si lulet, ata kanë nevojë për diell dhe dritë që të lulëzojnë,” shprehet Lorena Firzja, mësuese në kopshtin “1 Qershori” në Durrës.

Fëmijët në Durrës mezi presin të kthehen tek kopshti i ri

“Pas tërmetit, u zhvendosëm në godinën e shërbimeve sociale të bashkisë për të garantuar vazhdimësinë e mësimeve. Gjatë konsultimeve, i kërkuam programit “EU4Schools” që të ndërtonte një kënd lojërash për fëmijët, pasi një kënd i tillë kontribuon ndjeshëm në procesin e arsimimit dhe rritjes së fëmijëve,” u shpreh Elida Cela, Drejtore e Kopshtit Nr. 2 që ndodhet në bashkinë e Kurbinit.

Shumë prej objekteve arsimore pësuan dëme të cilat rrezikonin jetët e fëmijëve dhe mësuesve.

“Vitet e para janë thelbësore për perspektivat e fëmijës lidhur me arsimin, punësimin dhe integrimin në të ardhmen. Kujdesi dhe arsimi në fëmijërinë e hershme hedhin themelet për nxënie të mëtejshme, çka tregon se ky investim i BE-së është mjaft i dobishëm për sa i përket arsimimit të brezave të rinj në Shqipëri. Ne të gjithë duhet ta konsiderojmë fëmijërinë si një fazë unike të rritjes së individëve,” thotë Donika Voskopi, Drejtore e Kopshtit Nr. 1 në Varosh.

Objektet shpesh herë kanë patur hapësirën, por jo infrastrukturën, për ti ofruar studentëve mundësinë të mësojnë, praktikohen dhe luajnë gjatë ditës.

“Infrastruktura e cilësisë së lartë është thelbësore për të përmirësuar rezultatet e arsimit dhe për të garantuar një fillim të barabartë për të gjithë nxënësit, veçanërisht për ata që vijnë nga kontekste të disavantazhuara. Gjatë konsultimeve të mbajtura së fundi, rekomandova përzgjedhjen e projektit që përfshinte një kënd lojërash dhe një sistem më të mirë për hyrjen e dritës natyrale në klasa,” u shpreh Agroni, një pjesëtar i bordit të shkollës “Bilaj”, me vendndodhje në Fushë-Krujë.

Agroni është pjesëtar i bordit të shkollës Bilaj

Këto janë vetëm disa prej mendimeve që vijnë nga komunitetet e zonave të prekura nga tërmeti.

Kopshti “1 Qershori” dhe Kopshti Nr. 1 në Varosh janë pjesë e grupit të ambienteve arsimore të programit “EU4Schools”, të cilat po rindërtohen. Të gjitha këto ambiente u bënë të pabanueshme pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019, i cili shkaktoi dëme të mëdha në jetët e njerëzve, shtëpitë dhe godinat publike.

Kopshti ‘1 Qershori’ ndodhet në Bashkinë Durrës.

58 ambiente arsimore do të përfitojnë nga investimi i BE-së prej 75 milion euro, një vepër e prekshme dhe bujare që mbështet brezat e rinj të vendit. Programi zbatohet nga UNDP, e cila ka investuar gjithashtu 765 000 euro në këtë program.

Objektet arsimore përfshijnë cerdhet, kopshtet, shkollat 9-vjecare, shkollat e mesme dhe ato profesionale.

Çerdhet dhe kopshtet zënë 41% të buxhetit të përgjithshëm për riparimin dhe rindërtimin e institucioneve arsimore të prekura rëndë nga tërmetit i datës 26 nëntor 2019.

Gjatë konsultimeve tek Kopshti Nr. 1, në Varosh

EU4Schools kombinon dy qasje për riparimin dhe rindërtimin e këtyre ambienteve: #BuildBackBetter (Të rindërtojmë më mirë) dhe #BuildBackTogether (Të rindërtojmë së bashku), çka nënkupton se ambientet e reja janë plotësisht në përputhje me Eurocode 8 për qëndrueshmëri më të lartë ndaj tërmeteve, përmbushin standardet e BE-së lidhur me cilësinë dhe vendosin nevojat e përfituesve në qendër të metodologjisë së ndërtimit, duke garantuar kështu një nivel më të lartë transparence dhe llogaridhënieje gjatë procesit.

25 konsultime u zhvilluan gjatë verës, me rreth 800 pjesëmarrës nga të gjithë fushat e jetës.

Ambientet e reja do të ofrojnë akses të plotë për fëmijët dhe nxënësit me nevoja të veçanta, ndriçim të përshtatshëm, sistem me ngrohje qendrore, shkarkime të ulëta karboni, si dhe ambiente ekologjike, të gjelbëruara, me higjienë të përshtatshme dhe sportive, të cilat shpeshherë mungojnë në institucionet arsimore në Shqipëri.

#BuildBackBetter është qasja udhëheqëse që PNUD po përdor gjatë procesit të rindërtimit dhe riparimit.

Në kuadër të këtij Programi do të rehabilitohen 18 kopshte dhe çerdhe që ndodhen në bashkitë Durrës, Shijak, Kamëz, Kurbin, Krujë dhe Rrogozhinë, ku jetojnë rreth 180 000 përfitues.

Së shpejti, rreth 3000 fëmijë dhe 150 edukatorë do të përfitojnë nga ambientet e rinovuara që premtojnë të përmirësojnë ndjeshëm përvojën e të mësuarit për brezin e ri në Shqipëri. Të drejtat e njeriut nënvizojnë se fëmijët gëzojnë të drejtën e një arsimi të përballueshëm në fëmijërinë e hershme dhe kujdes me cilësi të mirë, një e drejtë, e cila në të ardhmen mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për shoqërinë në tërësi.

249,333 qytetarë do të përfitojnë drejtpërdrejt nga programi “EU4Schools”, ndërsa 20 000 studentë, nxënës shkollash, fëmijë dhe mësues do të përfitojnë nga institucionet arsimore të riparuara ose rikonstruktuara.

--

--