Forca e gruas shpëton jetë

V.D. thyen zinxhirët e dhunës dhe merr kontrollin e jetës së saj

Lumturie Ceka nuk ishte e huaj ndaj dhunës në familje para se të bëhej Koordinatore Vendore për Dhunën në Familje në Bashkinë e Klosit. Përgjatë gjithë jetës së saj, ka takuar dhe njohur shumë gra, përfshirë mikesha dhe të afërme, të cilat kanë vuajtur nga një formë e dhunës, qoftë ajo fizike, emocionale ose psikologjike, në familjet e tyre apo në komunitet.

Duke qënë e sigurt se shumica e viktimave të dhunës në familje kanë nevojë të skajshme për një zë dhe për mekanizma efikasë referimi, sidomos në qytetet dhe zonat e vogla, ajo bën çmos për t’u ardhur në ndihmë vajzave dhe grave përmes Mekanizmit të Koordinuar të Referimit (MKR), i cili mbështetet nga UNDP, për të trajtuar rastet e dhunës në familje në Bashkinë Klos.

Ishte ky mekanizëm, në një prej 36 bashkive në vend të mbështetura nga PNUD, që e njohu atë me V.D. — një nënë me katër fëmijë dhe një grua që vuante çdo ditë nga dhuna fizike dhe emocionale që ushtronte bashkëshorti.

V.D., ndihej e pafuqishme përballë kufizimeve që vinin nga pushteti financiar dhe social i bashkëshortit, si dhe nga pamundësia në dukje për ta denoncuar atë. Rezultatet e fëmijëve në shkollë ishin të dobëta për shkak të mungesës së figurës së babait. Ata gjithashtu shfaqnin vështirësi për të bërë miq dhe për t’u përfshirë në marrëdhënie shoqërore me bashkëmoshatarët e tyre. Ata shpesh ishin të hutuar, të zemëruar dhe të pashpresë; të gjitha këto vinin si rrjedhojë e skenave të shpeshta të dhunës që shihnin në shtëpi.

“Kur V.D. më kontaktoi fillimisht, ajo ishte përpjekur disa herë më parë që të reagonte. E për mua ishte menjëherë e qartë se ky nuk do ishte një rast i lehtë. Ajo ishte e bindur se policia e Klosit nuk mund ta ndihmonte, kryesisht sepse bashkëshorti i saj e mbante të mbyllur në shtëpi, por edhe sepse ai e kërcënonte se asnjë oficer policie nuk do ta besonte gruan, por do të besonin atë sepse i kishte miq të gjithë. Situata në të cilën ajo ndodhej ma shtoi edhe më tepër vullnetin për ta ndihmuar. Në fund të fundit, kjo është arsyeja kryesore përse ekzistojnë Mekanizmat e Koordinuar të Referimit,” tha Lumturie.

E gjendur në këto rrethana të vështira, ajo e nxiti V.D. që të gjente kurajën dhe ta denonconte bashkëshortin e saj në një prej Komisariateve të Tiranës. Ndërkohë, ajo u siguroi të pestë anëtarëve të familjes një Urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje, ndërsa policia e Klosit dhe Zyra e Përmbarimit në Mat e detyruan abuzuesin të largohej nga banesa.

V.D. mori një urdhër mbrojtjeje 3-mujor, ndërsa fëmijët përfituan mbështetje psikologjike përgjatë këtyre muajve, me qëllim që të mund të rifitonin ndjesinë e normalitetit dhe ta shijonin fëmijërinë e tyre përmes arsimimit të duhur, krijimit të miqësive dhe besimin e rifituar ndaj të rriturve.Thuajse menjëherë u përmirësua gjendja e tyre në shkollë, një tregues domethënës ky i ndikimit pozitiv që pati përgjigja institucionale, me ndërhyrjet kundër dhunës në familje, në jetët e të mbijetuarave dhe të fëmijëve të tyre.

Gjatë urdhrit të mbrojtjes, familja u mbajt nën vëzhgim, me qëllim që të sigurohej se autori do ta respektonte urdhrin për të mos iu afruar familjes dhe të qëndronte larg saj. Ndërkohë, MKR e Klosit vijonte t’i jepte udhëzime dhe këshilla V.D. lidhur me hapat që ajo duhet të ndiqte në rast se bashkëshorti përpiqej ti lëndonte sërish. Bonusi i qirasë që iu dha familjes nga Bashkia e Klosit, i ndihmoi ata ta linin pas këtë ngjarje traumatike dhe të shihnin drejt së ardhmes plot shpresë e besim të rigjeneruar. V.D. u ndje se tashmë kishte sërish kontroll mbi jetën dhe zgjedhjet e saj.

“Ndërgjegjësimi është thelbësor për të ndryshuar sjelljen e shoqërisë dhe normat e barazisë gjinore, si dhe për t’i ardhur në ndihmë luftës kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Shumë viktima kanë mbetur në grackën e abuzuesve të tyre për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Prandaj, ne intensifikuam përpjekjet tona dhe punuam ngushtë me komunitetet në nivel vendor, me qëllim që t’i informonim dhe ndërgjegjësonim burrat dhe gratë e reja, mësuesit dhe komunitetet mbi nevojën për ta denoncuar dhunën në familje,” thotë Lumturie.

Fatkeqësisht, gratë dhe vajzat vijojnë të përjetojnë dhunë në familje, dhunë seksuale dhe dhunë gjatë marrëdhënies intime, përndjekje dhe ngacmim seksual. Dhuna ndaj grave dhe vajzave, në të gjitha format e saj, mbetet një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Është pikërisht në këtë kontekst që UNDP po i mbështet ofruesit e shërbimeve që të zbatojnë me efikasitet legjislacionin dhe standardet normative për eliminimin e dhunës ndaj grave falë ndërhyrjeve të saj, veçanërisht në një kohë kur pandemia e COVID-19 po krijon një terren të favorshëm për këtë formë të re, shpesh të fshehur, të dhunës me bazë gjinore në kushtet e një pandemie. Kjo mbështetje jepet në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave”, i cili financohet nga Qeveria e Suedisë në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Përgjatë pandemisë, 371 viktima të dhunës në familje përfituan nga shërbime të ofruar nga profesionistë dhe 573 anëtarë të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit u trajnuan për mënyrën e përdorimit të saktë të protokollit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Gjithashtu, me mijëra përfituan nga fushatat e ndërgjegjësimit të realizuara përmes medias sociale.

Sistemi i parë online, i menaxhuar nga shteti për regjistrimin dhe gjurmimin e rasteve të dhunës në familje, REVALB, ka regjistruar dhe gjurmuar deri më tani 6114 raste të dhunës në familje, ndërsa qendra e parë shtetërore me shërbime të integruara ndërsektoriale për trajtimin e rasteve emergjente të viktimave të dhunës seksuale, ofroi mbështetje të integruar emergjente për më shumë se 70 të mbijetuara të dhunës seksuale.

Një shoqëri e barabartë, ku çdo grua dhe vajzë ndihet e sigurt dhe e fuqizuar, nis thjesht me shtrirjen e dorës së ndihmës, dhe mbi të gjitha është një shoqëri për të cilën ia vlen të luftosh në çdo hap të jetës.