Forcimi i Demokracisë Vendore në Shqipëri: Qasja e Bashkive ndaj Metodologjisë LOD
Në Shqipëri, bashkëpunimi midis pushtetit vendor dhe organizatave të shoqërisë civile (OSHC), vitet e fundit, ka arritur një nivel të ri, pasi bashkitë po përqafojnë metodologjinë LOD. Ja pse!
Bashkitë përdorin mekanizma të ndryshëm për shpërndarjen e fondeve, ku metodologjia LOD dallon në mënyrë të veçantë, pasi ndikon në rritjen e transparencës dhe përfshirjen aktive të shoqërisë civile në përcaktimin e prioriteteve të thirrjeve dhe vlerësimin e projekt propozimeve. Kjo siguron paanshmëri, transparencë dhe rrit llogaridhënien në përzgjedhjen e projekteve fituese, forcon demokracinë vendore dhe rrit cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Metodologjia LOD, e zbatuar nga ReLOaD në bashkitë Tiranë, Shkodër, Lushnjë, Sarandë, Kavajë, Kukës, Patosi dhe Kamëz, tashmë ka marrë miratimin zyrtar nga këshillat bashkiakë përkatës dhe luan një rol vendimtar në sigurimin e shpërndarjes transparente të fondeve për organizatat e shoqërisë civile, duke nxitur besimin e ndërsjellë. Njëkohësisht, optimizon përdorimin e fondeve publike për angazhimin e shoqërisë civile në adresimin e nevojave zhvillimore të komuniteteve vendore. Për më tepër, kjo metodologji unike kontribuon në një shoqëri paqësore dhe gjithëpërfshirëse, si dhe në ndërtimin e institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me integrimin e Shqipërisë në BE”, thotë Juljan Papaproko, Menaxher i Projektit Reload.
Programi ReLOaD në Shqipëri ka ofruar një sërë trajnimesh për rritjen e kapaciteteve për bashkitë. Këto trajnime u ofrojnë atyre instrumentet e LOD për të financuar iniciativat e shoqërisë civile përmes buxheteve vendore dhe menaxhimit të ciklit të projektit. Kjo përpjekje synon të rrisë aftësitë e tyre për planifikimin transparent të fondeve publike dhe mbështetjen e nismave të shoqërisë civile, duke çuar në një stad të ri forcimin e demokracisë vendore, transparencën dhe llogaridhënien. Programi kontribuon ndjeshëm në arritjen e objektivave dhe prioriteteve të zhvillimit vendor. Bashkitë përfituese e vlerësojnë shumë programin ReLOaD për dobinë e tij. Përfaqësues të pushtetit vendor nga Kavaja, Lushnja dhe Saranda shtjellojnë arsyet e efektivitetit të tij.
“Shtatë anëtarë të stafit nga bashkia jonë iu nënshtruan një trajnimi gjithëpërfshirës mbi metodologjinë LOD dhe shkrimin e projekt propozimeve, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Evropian në Menaxhimin e Ciklit të Projekteve (PCM), duke iu përmbajtur dhe udhëzimeve të BE-së për vlerësimin e propozimeve të projekteve. Kjo përbën një element të rëndësishëm në forcimin e sitemit tonë të funksionimit. Për më tepër, aftësitë e fituara do të luajnë një rol jetik në rrugën tonë drejt integrimit në BE dhe në marrjen e fondeve shtesë nga BE. Aktualisht, bashkia jonë ka siguruar me sukses financim për nëntë projekte përmes ReLOaD, të gjitha në përputhje me prioritetet tona të zhvillimit vendor”, nënvizoi Arben Meta, Drejtor i Njësisë së Koordinimit të Integrimit dhe Ndihmës së Huaj në Bashkinë Kavajë.
Metodologjia LOD po ndihmon bashkitë në buxhetimin e zhvillimit vendor bazuar në prioritetet vendore dhe ofrimin e shërbimeve sociale më të mira për qytetarët duke i dhënë prioritet projekteve në përputhje me nevojat vendore. Në bashkitë Kavajë dhe Lushnjë, Njësitë e Vlerësimit të Nevojave dhe Referimit të Rasteve tashmë po japin rezultate të mira, duke u ofruar qytetarëve akses më të mirë dhe më të shpejtë në shërbimet sociale. LOD i mundësoi bashkisë sonë një metodologji për shpenzimin efikas të fondeve publike”, theksoi Ariola Isufaj Korreshi, Drejtore e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar në Bashkinë Lushnje.
Iniciativat rinore të OSHC-ve, të tilla si hartimi i planeve vendore të veprimit për rininë, forumet tematike rinore dhe mbështetja për gratë viktima të dhunës me bazë gjinore dhe në familje, janë zbatuar në bashkitë fituese.
Gjithashtu, “trajnimi i stafit të OShC-ve nga ReLOaD ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve të tyre, dhe si rrjedhojë, ata janë në gjendje të përgatisin propozime më të mira”, shtoi Anila Pikuli, Drejtore e Drejtorisë së Kujdesit Social, Bashkia Sarandë.
Në muajt e ardhshëm, bashkitë e Tiranës dhe Shkodrës, falë avancimit të tyre në aplikimin e metodologjisë LOD, do të kenë rolin e mentorëve që ofrojnë udhëzime dhe mbështetje për bashkitë e tjera. Ata do të udhëheqin në mënyrë të pavarur zbatimin e thirrjeve për OSHC-të vendore.
Gjatë muajve në vijim, bashkitë e Tiranës dhe Shkodrës, falë përparimit që kanë bërë në aplikimin e metodologjisë LOD, do të angazhohen intensivisht në mentorimin e bashkive të tjera, kur ato do të fillojnë zbatojnë në mënyrë të pavarur thirrjet për OSHC-të vendore.
“Mënyra se si u zbatua metodologjia LOD në këto dy bashki pas tre thirrjeve të para të drejtuara nga ReLOaD do të shërbejë si shembull i mirë për bashkitë e tjera që do të përdorin këtë metodologji për ndarjen e fondeve për organizatat e shoqërisë civile vendore”, thotë Anxhela Doku, Përgjegjëse e Sektorit të Jetësimit të Prioriteteve, Bashkia e Tiranës.
“Si bashki mentore, ne po ofrojmë mbështetje për bashkitë që përqafojnë LOD për të siguruar cilësi në procesin e planifikimit dhe zbatimit të projekteve dhe uniformitet në përdorimin e mjeteve dhe dokumentacionit për realizimin dhe monitorimin me sukses të projekteve dhe shpenzimin e fondeve për OSHC-të”, theksoi Anxhela.
Përveç pushtetit vendor, metodologjia LOD është përqafuar me sukses edhe nga institucione kombëtare. Shembull konkret është bashkëpunimi me Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Agjencinë Kombëtare Rinore.
Rezultati i parë i miratimit të metodologjisë LOD nga ky institucion është rritja e numrit të aplikimeve të projekt-propozimeve, që dëshmojnë një interesim më të madh të sektorit të OSHC-ve për fondet publike. Në thirrjen e mëparshme për propozime, Agjencia Kombëtare e Rinisë mori 66 aplikime nga OSHC-të në vend të 119 aplikacioneve me mbështetjen e ReLOaD2.
Programi rajonal ReLOaD, i financuar nga Bashkimi Evropian, promovon bashkëpunimin ndërmjet pushtetit vendor dhe shoqërisë civile. Ai mbështet krijimin e kanaleve të komunikimit, përvojat pozitive të bashkëpunimit dhe përfshirjen e shoqërisë civile në çdo fazë të menaxhimit të ciklit të projektit, duke kontribuar në rritjen e besimit tek institucionet e qeverisjes vendore.
Shembujt e sipërpërmendur theksojnë lidhjen mes arritjes së Objektivave të Zhvillimit Strategjik dhe kërkesave për anëtarësim në BE, si dhe ndërtimit të institucioneve paqësore, të drejta dhe të forta, në përputhje me axhendën globale për zhvillim të qëndrueshëm.
Kjo metodologji, premton të shërbejë si një katalizator për nxitjen e angazhimit dhe bashkëpunimit aktiv ndërmjet bashkive dhe shoqërisë civile, duke u shtrirë dhe përtej veprimit të programit ReLOaD.