Garancia Rinore: Garancia e mundësive

UNDP albania
5 min readJan 27, 2025

--

Ilir, Anita dhe Entela — përkatësisht 19, 24 dhe 29 vjeç, janë tre të rinj që po përballen me tregun e pasigurt të punës sot.

Në një aktivitet rinor të organizuar nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim (AKPA), UNDP dhe UNICEF, ata u prezantuan me Garancinë Rinore dhe EU4Youth, një projekt të financuar nga BE që po mbështet pilotimin e Garancisë Rinore në Shqipëri. Projekti synon të ofrojë mundësi të prekshme punësimi, zhvillimi aftësish dhe arsimimi.

Por çfarë është saktësisht Garancia Rinore? Dhe çfarë do të thotë kjo për Ilirin, Anitën, Entelën dhe bashkëmoshatarët e tyre, që po përballen me vështirësi për të siguruar punë të denja, për të fituar aftësi të përshtatshme apo për të pasur qasje në arsimim cilësor?

Si shumë të rinj, ata janë përballur me pengesa në këtë rrugëtim.

“Nuk gjejmë asnjë mundësi,” thotë Anita. “Aftësitë që kërkojnë punëdhënësit kanë ndryshuar, dhe shkolla nuk më ka përgatitur për tregun e sotëm.”

Këtu ndërhyn Garancia Rinore. E krijuar për të siguruar që çdo i ri/e re nën 30 vjeç të marrë një ofertë punësimi, arsimimi ose trajnimi brenda katër muajve nga regjistrimi në zyrat e punësimit, ajo është një mundësi shpëtimi për të rinjtë që po përballen me sfidat e një tregu pune në zhvillim.

Për Ilirin, Anitën, Entelën dhe shumë të rinj të tjerë, Garancia Rinore premton të shndërrojë pasigurinë në mundësi, një shans për të fituar aftësitë që ju nevojiten, për të gjetur punë të përshtatshme dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në Shqipëri.

“Garancia Rinore është një iniciativë evropiane që synon të luftojë shkallën e lartë të papunësisë tek të rinjtë. Qëllimi kryesor është i thjeshtë, por ambicioz: të arrijë që të gjithë të rinjtë nën 30 vjeç të marrin një ofertë cilësore për punësim, arsim të vazhdueshëm, një praktikë pune ose një stazh brenda katër muajve nga momenti kur regjistrohen si të papunë ose ndërpresin arsimin formal. Kjo iniciativë është një prioritet politik kyç për BE-në, e dizenjuar për të integruar të rinjtë në tregun e punës dhe sistemet arsimore në mënyrë efektive,” thotë Jona Dundo, menaxhere e projektit.

Pse ju shërben Garancia Rinore të rinjve në Shqipëri

Të rinjtë në Shqipëri përballen me sfida të mëdha lidhur me punësimin. Në vitin 2022, shkalla e papunësisë për personat e moshës 15–29 vjeç ishte 22.5%, dyfish më e lartë se ajo e popullsisë në moshë pune. Shkalla e të rinjve që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim (NEET) ishte 25.2%, më shumë se dyfishi i mesatares së BE-27 që është 11.7%. Gjithashtu, ekziston një hendek i madh gjinor në punësim, ku femrat përballen me një diferencë prej 16% në krahasim me meshkujt.

Situata është më e komplikuar për shkak të larmisë brenda demografisë së NEET. Të rinjtë NEET në Shqipëri ndahen në disa grupe, ku secili përballet me pengesa të vecanta:

· Të rinj NEET me përgjegjësi familjare: Përfaqësojnë 17% të popullsisë NEET, këta individë, kryesisht femra, kanë mungesë aftësish për punësim dhe kërkojnë mbështetje të vecantë.

· NEET të dekurajuar: Përbëjnë 15% të grupit të NEET, këta të rinj nuk kanë përvojë pune dhe kanë nevojë për mentorim dhe zhvillim të aftësive sociale.

· NEET të tjerë joaktivë: Grupi më i madh, prej 29%, të cilëve ju nëvojiten strategji gjithpërfirëse për regjistrim dhe profilizim.

· NEET të papunë për një kohë të gjatë: Përbëjnë 20% të NEET, kryesisht meshkuj, dhe kanë nevojë për një kombinim të zhvillimit të aftësive sociale dhe profesionale.

· NEET aktivë: Megjithëse kanë arsim të lartë, kjo kategori që përbën 15%, përballen me pengesa për të aksesuar tregun e punës dhe kanë nevojë për ri-aftësim.

· NEET me aftësi të kufizuara: Një grup i vogël, por i rëndësishëm (4%), që kërkon ndihmë të specializuar.

Për më tepër, regjistrimi neto në arsimin e mesëm të lartë është vetëm 76.2%, ndërsa regjistrimi në arsimin profesional është i ulët, përkatësisht 17.5% për vitin akademik 2022–2023.

Këto shifra theksojnë nevojën urgjente për një sistem që ndërlidh arsimin dhe punësimin. Si përgjigje kundrejt kësaj nevoje, në Shqipëri ka nisur Plani i Zbatimit të Garancisë Rinore për periudhën 2023–2024. Plani fokusohet në koherencën e politikave, koordinimin e partneriteteve dhe përdorimin efektiv të burimeve.

Mbështetur nga projekti EU4Youth, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP dhe UNICEF, Garancia Rinore në Shqipëri synon të përmirësojë punësueshmërinë e të rinjve që nuk janë të angazhuar në arsim, punësim apo trajnim. Kjo nismë është thelbësore për të adresuar nevojat specifike të të rinjve shqiptarë.

Histori suksesi

Në më pak se një vit, rezultatet e para të prekshme të Garancisë Rinore tashmë janë të dukshme.

Artedjo Gogollari

Artedjo, 15 vjeç, përfundoi arsimin e detyrueshëm, por ndihej i pasigurt për hapat e tij të ardhshëm. Me udhëzimet e këshilluesve të Garancisë Rinore pranë zyrës së punës në Tiranë, ai eksploroi talentet dhe mundësitë e tij, duke vendosur më pas të regjistrohet në Shkollën e Mesme Profesionale Ekonomike.

“Zyra e Garancisë Rinore më sugjeroi arsimin profesional, dhe menjëherë më pëlqeu kjo ide. Jam mirënjohës për mbështetjen e tyre që më ndihmoi të marr këtë hap,” thotë Artedjo.

Kristian Dhimitri

Kristian Dhimitri, një 25-vjeçar nga Shqipëria, është përballur me sfida të mëdha për shkak të autizmit të moderuar. Stigma e ka bërë të vështirë gjetjen e një pune të përshtatshme për të. Por falë skemës së Garancisë Rinore, Kristian tani është i punësuar dhe është kontribuesi kryesor në familjen e tij.

“Kam gjetur punë me ndihmën e Garancisë Rinore. Jam shumë i lumtur me punën time; është si një familje e dytë për mua,” thotë ai.

Arjo, 28 vjeç, kaloi muaj të tërë i papunë dhe i pasigurt përpara se të drejtohej te Zyra e Garancisë Rinore për mbështetje. Si një i ri me sindromën Down, përshtatja në një vend pune ishte sfiduese. Falë këshillimit të kujdesshëm dhe asistencës, ai u punësua në gusht të vitit 2024.

“Gjithçka ka ndryshuar në jetën time. Nuk jam ndjerë kurrë kaq mirë jashtë shtëpisë. Tani mund të fitoj para, dhe kjo më bën shumë të lumtur,” thotë ai.

Rruga drejt së ardhmes

Garancia Rinore nuk është thjesht një politikë apo nismë, është një angazhim ndaj të rinjve Shqiptarë. Duke siguruar mundësi cilësore për punësim dhe arsim në pak kohë pas aplikimit, kjo nismë synon të thyejë ciklin e papunësisë dhe pasivitetit tek të rinjtë, duke ju ofruar atyre aftësitë dhe përvojat e nevojshme për të pasur sukses në ekonominë moderne.

Duke investuar tek të rinjtë sot, Shqipëria po hap rrugën për një të ardhme më të begatë dhe gjithëpërfshirëse për brezin e ardhshëm. UNDP dhe UNICEF po punojnë për ta kthyer këtë vizion në realitet të prekshëm.

--

--

No responses yet