Garancia Rinore në Shqipëri: Mundësi Reale Punësimi, Trajnimi dhe Arsimimi
Papunësia. Mungesa e orientimit. Vështirësitë për të kapur mundësitë. Këto janë disa nga pengesat që shumë të rinj hasin në përpjekje për të hyrë në tregun e punës. Pikërisht për të tejkaluar këto pengesa vjen në ndihmë Garancia Rinore, një nismë e mbështetur nga BE, e cila siguron që çdo i ri nën moshën 30 vjeç të mund të marrë një ofertë cilësore për punësim, arsimim ose trajnim profesional, brenda katër muajve nga regjistrimi në zyrat e punës.
Në Shqipëri, ku, sipas statistikave zyrtare, 24.6% e të rinjve të moshës 15–29 vjeç nuk janë as punësim, arsim apo duke ndjekur ndonjë trajnim (Not in Employment, Education or Training- NEET), Garancia Rinore është më shumë se një politikë. Ajo është një pikë kthese.
Që nga nisja e pilotimit të programit në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë në Nëntor 2023, 543 të rinj kanë gjetur mundësi të reja përmes këtij programi.
Lexoni historitë e tyre.
Stelina Brakaj vjen nga qyteti i Vlorës. Megjithëse kishte përfunduar studimet bachelor në shkenca kompjuterike, ajo ishte duke hasur vështirësi për t’u integruar në tregun e punës. Sfidat ishin të dyfishta: mungesa e përvojës praktike dhe vështirësi për t’ju përshatur kërkesave të tregut të punës. Stelina dëgjoi për Garancinë Rinore përmes një takimi qe u organizua ne Vlore dhe aplikoi për mbështetje. Me ndihmën dhe udhëzimet e vazhdueshme të specialistëve në Zyrën e Punës në Vlorë, ajo filloi angazhimin në Qendrën Kulturore të Vlorës, ku ka nisur një rrugëtim njëvjeçar duke fituar përvojë praktike përmes mundësive të alternuara të punësimit dhe trajnimit.
Rezultati? Aftësi të reja dhe vetëbesim. Një bazë e sigurt në fushën e zgjedhur prej saj.
“Angazhimi im në Qendrën Kulturore të Vlorës jo vetëm që më ofroi njohuri dhe përvojë, por gjithashtu më rriti vetëbesimin dhe po më jep mundësinë të ndërtoj një të ardhme profesionale të sigurt,” thotë ajo.
Në Tiranë, 25-vjeçarja Gaviota Rrahi u përball me një vit të vështirë me shumë refuzime aplikimesh pune pas përfundimit të arsimit të lartë. Mundësitë e pakta që ju ofruan ishin të përkohshme ose të papërshtatshme, gjë që e bëri të ndihej edhe më e demoralizuar, deri në momentin kur kontaktoi me zyrën vendore të punës. Me mbështetjen e tyre, ajo u regjistrua në një kurs profesional të përshtatshëm për aftësitë dhe interesat e saj. Pak kohë pas kësaj, ajo arriti të siguronte një punë të qëndrueshme në sektorin e shërbimeve, e cila përputhej me aspiratat e saj profesionale.
“Për herë të parë, ndihem kaq e sigurt dhe e mbështetur si gjatë procesit të kërkimit të punës, ashtu edhe dhe në vendin tim të punës” theksoi ajo.
Për Juliana Bujarja nga Shkodra, e sapo-diplomuar në drejtësi, gjetja e një pune në fushën e saj dukej pothuajse e pamundur. Pa një master apo përvojë të mëparshme pune në profesionin e saj, aplikimet për pune që niste mbeteshin pa përgjigje.
Fati e solli që të dëgjonte për Garancinë Rinore dhe të kërkonte ndihmë prej këshilluesve në Zyrën e Punësimit në Shkodër. Juliana siguroi një pozicion në fushën e dëshiruar, ku tani po fiton përvojën e nevojshme për ta zhvilluar karrierën e saj me tej.
“Falë mbështetjes që mora nga programi i Garancisë Rinore, kam bërë më në fund hapin e duhur drejt karrierës sime,” thotë ajo.
Si funksionon Garancia Rinore?
Garancia Rinore nuk është vetëm një politikë; është një program praktik për të ndihmuar të rinjtë të gjejnë rrugën e tyre. Për të përfituar nga programi, të rinjtë nën 30 vjeç, nga Tirana, Vlora ose Shkodra duhet të:
- Aplikimi përmes e-Albania: Të rinjtë mund të regjistrohen duke aplikuar përmes shërbimit elektronik “Aplikim për Garancinë Rinore” në e-Albania.
- Kontaktimi nga specialisti: Brenda një jave, një specialist i Garancisë Rinore nga Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi (AKPA) do të kontaktojë aplikantin.
- Mbështetja e personalizuar: Aplikantët marrin udhëzime dhe këshillim të personalizuar, duke përfshirë:
· Mundësi trajnimi.
· Praktika profesionale.
· Punësim.
Garancia Rinore zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, me mbështetjen e Projektit #BEPërRininë, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP Albania dhe UNICEF Albania, nën koordinimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.