ReLOaD për mjedisin: Partneritetet mes shoqërisë civile dhe qeverisjes vendore

UNDP albania
5 min readAug 16, 2022

Qendra Jobis- një partner i programit ReLOaD, dhe Bashkia e Sarandës po punojnë së bashku për të përmirësuar menaxhimin e ndarjes së mbetjeve në burim. Dhe lajmet janë të mira!

Tashmë në Sarandë mund të shihni kosha që i ndajnë mbetjet që në burim dhe riciklues që i mbledhin. Qendra Jobis, është themeluar dhe drejtohet nga dy gra. Në zemër të punës së saj, Qendra Jobis ka çështjet mjedisore dhe sociale.

Mbështetur nga programi ReLOaD, në bashkëpunim me Bashkinë e Sarandës, ata po punojnë për ndërgjegjësimin e bizneseve dhe komunitetit për nevojën e ndarjes së mbetjeve në burim.

Qendra Jobis, e themeluar dhe e drejtuar nga dy gra, mbështetur nga programi ReLOaD, në bashkëpunim me Bashkinë e Sarandës, po punon për ndërgjegjësimin e bizneseve dhe komunitetit për ndarjen e mbetjeve në burim.

Si nisi bashkëpunimi me ReLOaD?

Në një bisedë me Irenën, anëtare e bordit drejtues së Qendrës Jobis, mësojmë se kontakti i parë me ReLOaD ka qenë nëpërmjet bashkisë Sarandë, të cilët i informuan mbi mundësitë që ofronte ReLOaD. Që nga ky moment, Jobis filloi të bëhej pjesë e gjithë procesit konsultues të prioriteteve të thirrjes së parë publike për financimin e organizatave të shoqërisë civile dhe trajnimeve të ofruara nga ReLOaD për shkrimin dhe menaxhimin e projekteve. Për të pasur një aplikim sa më cilësor, një mentor i shoqëroi përgjatë gjithë ciklit të pergatitjes se projekt-propozimit.

“Për mua kjo ishte risi, ishte hera e parë që ndodhte kështu. Në fund të trajnimit ne kishim arritur ta kishim pothuajse të shkruar të gjithë projektin pasi e kishim diskutuar gjatë ditëve të trajnimit së bashku me trajnerët. Ishte një përgatitje shumë e dobishme për ne e cila do te na sherbente edhe për në vazhdim.”

Jobis, së bashku me 13 organizata të tjera partnere u përzgjodhën për shkak të cilësisë së propozimeve, rëndësisë së temave të propozuara dhe qasjes. Menjëherë pas përzgjedhjes, ata morën pjesë në sesione trajnimi të dedikuara për procedurat e zbatimit të projektit dhe për aftësitë në komunikim.

“Do ta quaja një rritje profesionale të vazhdueshme edhe për mua personalisht por edhe për organizatën. Kemi pasur mundësi të njohim njerëz profesionistë dhe të mësojmë kaq shumë gjëra që nuk i kishim parë në projekte të tjera, që nga informacionet për shkrimin e projektit, raportimit apo komunikimit në mediat sociale.”

Menaxhimi i mbetjeve, nga një koncept në një projekt real

“Ne aplikuam për këtë projekt, -thotë Irena, sepse kuptuam se kishte një nevojë urgjente për ndërgjegjësimin dhe edukimin e komunitetit mbi rëndësinë e menaxhimit të mbeturinave në burim”.

Që prej muajit prill, Jobis ka nisur zbatimin e projektit me takime derë më derë me biznese vendase.

“Gjatë takimeve me bizneset, kuptuam se ata nuk kanë informacion se në Sarandë ekziston mundësia e ndarjes së mbetjeve në burim apo se mund të bashkëpunojnë së bashku për ta arritur këtë gjë. Kemi pasur një reagim mjaft pozitiv. Arritëm që nga 52 biznese që takuam, 40 të bindeshin për t’u bërë pjesë e iniciativës sonë. Sigurisht që kishte sfida, disa prej tyre na thoshin se nuk kishin as kohë fizike, as hapësirë apo kapacitet njerëzor për të bërë ndarjen e mbetjeve. Megjithatë, ne u ofruam të bashkëpunonim dhe t’u siguronim atyre kosha riciklimi ose qese, si dhe të dërgonim grumbullues për të mbledhur mbetjet në kohën më të përshtatshme për ta.”

Gjatë takimeve me bizneset

Jobis po punon gjithashtu me fëmijë të kopshteve dhe shkollave fillore për rritjen e ndërgjegjësimit. Organizata e bën këtë nëpërmjet përfshirjes së drejtpërdrejtë të tyre në aktivitete sensibilizuese, lojërave apo vizitave konkrete në qendrën e riciklimit.

“Të jem e sinqertë, më erdhi fillimisht si ide nga fëmijët e mi. Gjatë projektit të parë që zbatuam për menaxhimin e mbetjeve, kuptova se fëmijët kishin dëgjuar për riciklimin vetëm nëpër filma vizatimorë. Kështu, vendosa t’i marr me vete dhe t’u tregoj të gjithë procesin që nga ndarja tek mbledhja dhe ripërdorimi në jetën e vërtet. Madje, i çova edhe në një qendër riciklimi. Aty kuptova se sa të interesuar ishin ata, jo vetëm për të përvetësuar informacionin, por edhe për ta ndarë ate me bashkëmoshatarët e tyre. Kështu fillova të mendoj mbi rëndësinë e punës me fëmijët për riciklimin.”

Gjatë takimeve në kopshte dhe shkolla

Në përfundim të projektit, Qendra Jobis synon që qytetarët e Sarandës të kenë një qytet më të pastër dhe modern, që bizneset lokale dhe qytetarët të jenë ndërgjegjësuar për t’u bërë pjesë e një procesi që ndan mbetjet në burim. Ata mendojnë se këto ndërhyrje do të kenë një ndikim të mirë në rritjen e turizmit në qytet.

“Në plan afatgjatë, ndjehesh mirë kur ti kontribuon për qytetin tënd, për vendin ku jeton dhe ku rrit fëmijët e tu. Ndjehesh krenare sepse ke bërë diçka për qytetin”.

Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD2) financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP.

--

--