Komunitetet i japin formë #ShkollësQëDua

Bashkimi Evropian investoi EUR 15 milion për rimëkëmbjen e institucioneve arsimore të dëmtuara nga tërmeti

“Tërmeti më shkatërroi shtëpinë dhe shkollën. Ishte e dhimbshme për mua t’i shihja të dyja të shëmbura,” u shpreh Anila, nxënëse në Shkollën “Sherif Dervishi” në Budull, Krujë — një nga bashkitë e goditura nga tërmeti i 26 Nëntorit i cili shkaktoi shkatërrim dhe dëshpërim në Shqipëri.

“Lajmi i mire është se një shkollë më e bukur dhe e sigurt do e zëvëndësojë. Sot ndodhem këtu me prindërit dhe miqtë e mij për të diskutuar si e dua unë shkollën e re. Madje e kam vizatuar,” thotë Anila, duke treguar ‘shkollën e saj të ëndrrave’ në letër.

26 Nëntor 2019

…Tre muaj pas fillimit të vitit shkollor, jeta mori një kthesë të papritur për nxënësit në Shqipërinë Qëndrore.

Tërmeti nuk dëmtoi vetëm banesat e tyre, por edhe shkollat dhe kopshtet, duke i traumatizuar dhe duke i shkaktuar ankth dhe pasiguri për shkollimin e tyre të ardhshëm — për jetën e tyre gjithashtu.

“Cfarë do të ndodhë me shkollën tone? A do të rifilloje mesimi së shpejti? Kur do i shoh përsëri miqtë e mij? Po oret e letërsisë? Më mungon vertetë shumë Kampionati i Futbollit mes shkollave…”

Këto ishin pyetjet dhe pasiguritë që shqetësonin nxënësit për nje kohë te gjate.

Por ka gjithmone shprese

Më 17 Shkurt, Bashkimi Evropian organizoi në Bruksel Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së Bashku për Shqipërinë,” e cila synoi të mbështesë përpjekjet e rimëkëmbjes pas tërmetit shkatërrues.

Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe Qeveria Shqiptare ndërmorën një “Vlerësim të Nevojave Pas-Katastrofës”, i cili shërbeu si udhërrefyes për Konferencën e Donatorëve dhe si bazë e përpjekjeve të rindërtimit dhe rehabilitimit.

Komisioni Evropian u zotua se do të dhuronte EUR115 milion nga buxheti i BE, përfshirë këtu një shumë fillestare prej EUR15 milion për të rehabilituar dhe rindërtuar sa më shpejtë ndërtesat publike kryesore, sic janë shkollat.

Programi “EU4Schools” nisi zbatimin i financuar nga BE dhe i zbatuar nga PNUD.

“Premtuam se do të ndihmonim dhe vepruam shpejt. Asgje me shume se shkollat s’mund të ngjallin qëndrueshmëri dhe besim në të ardhmen. Prezantimi i ndihmës pas termetit, të BE për ndërtimin e shkollave sipas standarteve ndërkombëtare është gjëja e duhur. Përgjigja e BE provon dhe një here se Shqipëria nuk është vetëm afër gjeografikisht, por edhe në zemrat dhe shqetësimet tona,” tha Ambasadori i BE në Shqipëri Luigi Soreca gjatë nënshkrimit të Programit “EU4Schools.”

Aktualisht, nxënës dhe komunitete në pesë bashki po përfitojnë nga fondet e BE — Kavaja, Kruja, Kamza, Durrësi dhe Kurbini — bazuar në nëvojat e identifikuara nga “Vlerësimi i Nevojave Pas-Fatkeqësisë”. Do të rindërtohen ose restaurohen 22 objekte arsimore, përfshirë kopshtet, shkollat ​​9-vjeçare, shkollat ​​e bashkuara dhe shkollat ​​e mesme.

Ndërhyrjet e rimëkëmbjes shoqërohen me strategji afat-mesme dhe afat-gjata të cilat synojnë të forcojnë qëndrueshmërinë dhe ndërtojnë kapacitetin jo vetëm për të reduktuar, por edhe për të përballuar rrezikun dhe pasojat e katastrofave të ardhshme natyrore.

Do të ndërtojmë shkolla më të mira dhe më të sigurta

PNUD po kombinon qasjen ‘Të Ndërtojmë së Bashku’ me ‘Të Ndërtojmë më Mirë’ në secilën bashki — duke sjellë së bashku qeveritë vendore, komunitetet dhe institucionet publike mbi hartimin dhe zbatimin e aktiviteteve të rimëkëmbjes së shpejtë përmes sistemeve transparente —duke promovuar njëkohësisht qëndrueshmërinë e investimit.

“‘Të Ndërtojmë më Mirë’ ofron mundësinë për të riparuar ose rindërtuar infrastrukturën dhe ndertuar sisteme më të forta, më të sigurta, më të qëndrueshme ndaj katastrofave, të shoqëruara me standarde më të larta. Objektet e restauruara të arsimit jo vetëm që do të jenë rezistente ndaj tërmeteve në të ardhmen , sipas Eurokodit 8, por gjithashtu do të përmbushin standardet evropiane në lidhje me energjinë e rinovueshme, hapësirat e gjelbërta, ujin e rrjedhshëm, hapësirat sportive, rrjetin e internetit dhe atë që është më e rëndësishmja — aksesin për studentët dhe individët e tjerë me nevoja të veçanta.Në kontekstin e pandemisë COVID-19,në të gjitha objektet arsimore që po riparohen ose rindërtohen, do të zbatohen masat e nevojshme për të siguruar mirëqenien dhe arsimimin e nxenesve, mësuesve dhe personelit,” tha Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD Limya Eltayeb.

Nxënësit dhe komunitetet thonë fjalën e tyre

Për t’i bërë aktivitetet e rindërtimit sa më gjithëpërfshirëse, PNUD ka ftuar nxënësit e shkollave, prindërit dhe mësuesit e komuniteteve të shprehin mendimin e tyre mbi procesin e rindërtimit.

Mbi 500 nxënës, prindër, mësues, kanë marr pjesë në 22 konsultime të organizuara deri tani — një risi për Shqipërinë.

“Eshtë hera e parë që ftohemi të diskutojmë për shkollën që ne dhe fëmijët tanë duam,” tha Fatimja, nënë e 4 fëmijëve, të cilët studjojnë tek Shkolla 9-vjecare “Malbardhe” në Kurbin.

“Kompania e projektimit na tregoi dy modele të shkollës, si dhe dha detaje si do të jetë shkolla. Ata na siguruan që shkolla e re do të ndërtohet sipas standardeve evropiane dhe se fëmijët tanë do mund të studiojnë në shkolla të mira, si çdo evropian tjetër.”

“Gjatë konsultimeve sot, miqtë e mi dhe unë kërkuam një bibliotekë për të përmirësuar nxënien e cila gjithashtu do të promovojë leximin mes bashkëmoshatarëve tanë,” tha Artani, një nxënës 14-vjeçar i shkollës 9-vjeçare “Fiqiri Kurti” në Bashkinë e Kavajës, e cila pret këtë vit 380 studentë.

Klasa të mëdha, hapësira të gjelbërta, objekte sportive, gardhe sigurie, sisteme të ngrohjes dhe ftohjes janë vetëm disa nga kërkesat e shumta që vijnë nga nxënësit dhe komunitetet. Shkollat që ata dëshirojnë së shpejti do të jetë një realitet i prekshëm.

7,500 studentë do të përfitojnë nga mjediset e restauruara arsimore, jo vetëm për vazhdimin e procesit arsimor, por edhe për nga pjesëmarrja në aktivitetet artistike dhe sportive me mësuesit e tyre — këtë rradhë në ambjente moderne.

Thuhet se edukimi është pasaporta për të ardhmen. Programi “EU4Schools” po hap udhën në këtë drejtim.