Kur gratë guxojnë të ëndërrojnë
Nga: Nora Kushti
Kur gratë guxojnë të ëndërrojnë
A doni të dëgjoni një histori të një udhëtimi drejt shpresës, ndryshimit dhe qëndrueshmërisë? Po ndaj sot një me ju.
Në zemër të Beratit, një qytet me shumë histori dhe traditë, tani mund të vizitoni një biznes social të krijuar së fundmi, i drejtuar nga një grup grash rome dhe egjiptiane të kthyera nga emigracioni, të cilat ishin përballur me realitetin e ashpër të papunësisë për një kohë të gjatë.
Biznesi i tyre i sapokrijuar quhet “Crystal”.
Olsjana, Anisa dhe shumë të tjera të kthyera nga emigrimi u përballën me të njëjtat sfida të gjetjes së një vendi pune, sigurimit të strehimit dhe të arsimimit të fëmijëve të tyre. Të balanconin punën me rritjen e fëmijëve ishte ishte një realitet i vështirë për shkak të kufizimeve kohore. Kjo i bënte ato të linin ose të ndërronin punë shpesh.
Shumë nga këto gra ishin përballur me situata të trazuara familjare, të cilat e bënin arsimimin dhe punësimin akoma më të vështirë. Megjithatë, ato nuk pranuan të dorëzoheshin.
Të vendosura për të krijuar mundësi për familjarët dhe veten, ato u nisën në rrugën drejt pavarësisë ekonomike dhe fuqizimit social.
Një biznes social për shërbimet e kujdesit dhe pastrimit u erdhi ne ndihmë, falë një partneriteti trepalësh midis BE-së, UNDP-së dhe Bashkisë së Beratit. Projekti “Forcimi i sistemeve kombëtare dhe lokale për të mbështetur integrimin efektiv socio-ekonomik të të kthyerve në Ballkanin Perëndimor” i financuar nga BE-ja dhe i zbatuar nga UNDP-ja, erdhi si një “shpëtim”.
Me guxim dhe përkushtim, ato u nisën “në një udhëtim të të mësuarit dhe rritjes”” të mundësuara nga projekti, i cili i trajnoi në fushën e komunikimit, menaxhimin financiar dhe zhvillimit të biznesit.
E rruga drejt dijes nuk qe kaq e lehtë për ata, por vendosmëria dhe përkushtimi i tyre fitoi mbi vështirësitë.
Dhjetori 2023 shënoi një moment të rëndësishëm për Orsianën dhe shoqet e saj, kur biznesi i tyre u regjistrua zyrtarisht.
Shumë shpejt ato siguruan kontrata me bare, restorante, hotele dhe bujtina në Berat.
Ëndrra që dikur dukej si një mirazh i largët, tani u bë e prekshme.
“Gjatë gjithë jetës sime, jam përballur me pengesa të panumërta për të gjetur punë dhe për të siguruar një arsim të mirë për fëmijët e mi. Emigrimi ishte një zhgënjim i madh, ndaj vendosëm të ktheheshim. Të bëhesh pjesë e Crystal jo vetëm që më siguron punësim të përhershëm, por unë dhe koleget e mia do të marrim pjesën tonë të fitimit. Nuk kam guxuar kurrë ta ëndërroj këtë.”
Aspiratat e tyre shtrihen përtej punësimit të thjeshtë; ato synojnë të kapërcejnë nocionet konvencionale të biznesit dhe të hapin rrugën për një epokë të re të sipërmarrjes sociale.
Kjo nismë nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat që do nxjerrin nga puna e tyre, por vë theksin tek përfshirja sociale, fuqizimi i komuniteteve në nevojë dhe riformësimin e strukturës së shoqërisë.
Udhëtimi i tyre nuk ishte i vetëm; ai u shoqërua me mbështetjen e një OJF-je të udhëhequr nga gratë dhe solidaritetin e ekipit.
Historia e Orsianës, Anisës dhe shoqeve të tyre flet për rëndësinë e përshtatjes së ndërhyrjeve sipas nevojave të grave, rritjes së kapaciteteteve të tyre dhe mbështetjes së prekshme.
Kjo iniciativë flet dhe për shpirtin e pamposhtur të gruas, fuqinë e veprimit kolektiv dhe mundësitë e pakufishme që lindin kur gratë guxojnë të ëndërrojnë.
Projekti po punon për forcimin e të drejtave themelore të komunitetit Rom dhe të të kthyerve të tjerë nga grupet në nevojë në tre vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Pas përcaktimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor si ‘vende të sigurta të origjinës’,shumë emigrate u kthyen nga vendet e BE-së. Projekti ka në fokus trajtimin e çështjeve prioritare , si papunësinë, punët me pagë të ulët, sektorin informal, dhe shqetësimet në lidhje me cilësinë e shërbimeve shëndetësore dhe arsimit.
Këta faktorë kanë qenë shtytës të rëndësishëm të migrimit të jashtëm nga Shqipëria dhe rajoni.
“Në qendër të qasjes së projektit është bashkëpunimi i tij i ngushtë me institucionet e nivelit vendor që ofrojnë shërbime të orientuara drejt riintegrimit të të kthyerve, si dhe angazhimi me aktorët lokalë të shoqërisë civile dhe komunitetin e biznesit,” thotë Entela Lako, Specialiste e Programit të UNDP-së. “Këtu, komuniteti i të kthyerve nuk shihet thjesht si përfitues i projektit, por si partner aktiv, duke siguruar një ndjenjë pronësie mbi modelet dhe aktivitetet e zbatuara nga projekti”.