Modernizimi i Institutit Shqiptar të Policisë Shkencore

UNDP albania
5 min readOct 10, 2022

Nga: Nora Kushti

Një rrugëtim nëpër kujtime…

Në vegjëlinë time më pëlqente shumë të shihja filma me skena krimi. Më intrigonte shumë mënyra se si kryeheshin hetimet. “Si e gjejnë kush e ka bërë krimin”- pyesja veten. E shpesh e shihja veten duke i analizuar ato skena, duke mbledhur prova shkencore dhe duke ia paraqitur ato gjykatës.

Në atë kohë i premtova vetes se një ditë do të bëhesha eksperte kriminalistike që do të jepja dhe do të kërkoja drejtësi.

Ëndrrat nuk realizohen gjithmonë. Nuk u bëra kurrë eksperte kriminalistike. Por u bëra eksperte komunikimi që ndër shumë detyra të tjera duhet t’i përcjell publikut punën e organizatës.

Një ditë vizitova Institutin e Policisë Shkencore.

Gjatë vizitës në Institutin e Policisë Shkencore

Rikthim në të tashmen…

Si për të më rikujtuar mua ëndrrën e kurrëpërmbushur, në vitin 2019, UNDP-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Institutin Shqiptar të Policisë Shkencore, nisën një projekt të ri: “Mbështetja e autoriteteve shqiptare ligjzbatuese për të forcuar menaxhimin e provave nga veprat penale me armë zjarri dhe kapacitetet hetimore”. Projekti i financuar nga Qeveria Gjermane dhe i zbatuar në partneritet me Zyrën Qendrore në Evropën Juglindore dhe Lindore për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (SEESAC), ka për qëllim të modernizojë Institutin Shqiptar të Policisë Shkencore me synim përmirësimin e cilësisë së hetimeve dhe mundësimin e një drejtësie më të ndershme në Shqipëri.

Një nga shtyllat e projektit eshte forcimi i kapaciteteve të Policisë së Shtetit me qëllim që ajo të operojë me standarde më të larta dhe me procedura më efikase në fushën e hetimeve penale. Disa nga ndërhyrjet e qenësishme me në fokus punën e Institutit Shqiptar të Policisë Shkencore kanë qenë procedurat standarde të veprimit për hetimin në vendngjarje, ofrimi i pajisjeve kyçe për ekzaminimet në vendngjarje dhe analizën balistike. Kjo mbështetje do të ketë gjithashtu një rol parësor në procesin e akreditimit të Institutit Shqiptar të Policisë Shkencore.

Për të parë konkretisht punën e Policisë Shkencore, të kësaj strukture të specializuar për kryerjen e ekspertizës së hetimeve penale, si dhe për të marrë një panoramë të mënyrës se si projekti i UNDP-së po e ndihmon forcimin e hetimeve penale dhe të kapaciteteve analitiko-balistike të sektorit të kriminalistikës në Policinë Shkencore, bëra një vizitë në Institut. Gjithmonë kam dashur të vizitoj një nga këta laboratorë, ku ndërthuret ekspertiza, teknologjia dhe mjetet për t’i ardhur në ndihmë një ekspertize të saktë dhe të pakundërshtueshme hetimore.

Rrallë herë jam impresionuar kaq shumë nga pasioni, përkushtimi, dija dhe ekspertiza e oficerëve të policisë në atë godinë të vjetër e cila mbart nën vete të vërteta të thëna dhe ende të pathëna. Secili kishte një histori për të treguar. Një histori pune që bën dallimin. Një histori përkushtimi e nxitur nga dëshira për të bërë drejtësi.

Ku konsistoi ndihma e UNDP-së?

Në përgjigje të nevojës për të forcuar kapacitetet teknike dhe njerëzore të Policisë Shkencore për t’i ardhur në ndihmë punës hetimore, UNDP-ja mundësoi një sërë pajisjesh të specializuara për Sektorin e Balistikës, grupet hetimore të vendngjarjes dhe sektorin e ADN-së, si dhe ofroi seanca aftësuese për oficerët e policisë.

Institutit të Policisë Shkencore dhe grupeve hetimore të vendngjarjes në nivel rajonal iu vu në dispozicion një Sistem për Menaxhimin e Informacionit Laboratorik (LIMS) me synim përmirësimin e përpunimit të provave dhe përmirësimin e zinxhirit të ruajtjes së tyre nga vendngjarja. Dyzet e pesë oficerë të Policisë së Shtetit Shqiptar nga Instituti Shqiptar i Policisë Shkencore morën trajnim mbi mënyrën e përdorimit të Sistemit për Menaxhimin e Informacionit Laboratorik (LIMS). Njohuritë e përftuara përmes trajnimit rritën kapacitetet e tyre për të kryer përpunimin e provave sipas standardeve të njohura ndërkombëtare.

Z. Fatjon Kaluci, me detyrë Shef Sektori për Administrimin e Provave, flet mbi dobitë e sistemit të cilat variojnë nga efikasiteti më i lartë deri te saktësia dhe integriteti më i lartë. “Ky sistem është thelbësor për të dokumentuar çdo lëvizje të provës nga momenti i marrjes së saj deri te shkatërrimi. E ka reduktuar shumë punën shkresore, gjurmon vendndodhjen e çdo kampioni dhe lëvizjen e tij si pjesë e zinxhirit të ruajtjes, si dhe jep statistika të sakta”.

UNDP-ja prokuroi edhe mikroskopë krahasues dhe mikroskopë trinokularë, të cilët janë mjete shumë të dobishme për të ekzaminuar me saktësi rezultatet e provave balistike. Gjithashtu, pesë oficerë të policisë shqiptare nga Sektori i Balistikës së Policisë Shkencore u trajnuan për përdorimin e pajisjeve të reja.

“Trajnimi ishte shumë i dobishëm për forcimin e kapaciteteve të oficerëve të policisë në përpunimin e provave balistike. Kjo bëhet në përputhje me standardet ndërkombëtare” — shprehet Fatjoni.

Në kuadër të projektit u mundësua edhe një depozitë uji për kryerjen e analizave balistike përfshirë edhe seancën aftësuese me oficerët përgjegjës të policisë mbi mënyrën e përdorimit të pajisjes së re të vënë në dispozicion.

Gjatë ceremonisë së pajisjeve të specializuara për Sektorin e Balistikës

“Depozita e ujit për qëllime balistike është një sistem efikas për rikuperimin e plumbave me qëllim sigurimin e tyre në formë të padëmtuar për krahasim të drejtpërdrejtë të shenjave të vjaskave. Jam shumë mirënjohës për mbështetjen e dhënë pasi kjo pajisje dhe trajnimet pasuese po ndihmojnë në rritjen e përpunimit të provave balistike sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”. — shprehet z. Nikolin Duraj, Specialist pranë Sektorit të Balistikës.

“Ndërhyrjet e projektit kanë dhënë ndihmesë për përpunimin e provave. Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme njerëzore dhe teknologjike të Policisë Shkencore, shumë hetime zvarriteshin në kohë dhe në disa raste tejkalonin afatet procedurale, ç’ka nënkupton përfundimin e procedurave penale” — thotë z. Aleksandër Bushati me detyrë Specialist pranë Sektorit të ADN-së.

Projekti bëri të mundur pajisje të cilat rritën kapacitetet për përpunimin e provave të ADN-së, duke përfshirë një bluarës kockash për ekstraktim të ADN-së dhe një Makineri për Leximin e PCR-së me ciklim termik.

Tashmë me pajisjet e reja ekspertët e kriminalistikës mund t’u japin zgjidhje krimeve që nuk kanë marrë zgjidhje për vite me radhë.

· Instalimi i depozitës së ujit për analiza balistike në ambientet e Institutit Shqiptar të Policisë Shkencore

· Prokurimi i tre skanerëve 3D për ekzaminime në vendngjarje

· Prokurimi i pajisjeve të teknologjisë së informacionit për grupet hetimore rajonale

· Zhvillimi dhe aprovimi i një Sistemi për Menaxhimin e Informacionit Laboratorik (LIMS) për Institutin Shqiptar të Policisë Shkencore

U largova nga Instituti me keqardhje që ëndrra ime nuk u realizua kurrë, por e lumtur të shihja se ndërhyrjet e UNDP-së po vilnin frytet e veta. Projekti po i vjen në ndihmë bërjes së drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre.

Sistemet e drejta, efikase, njerëzore dhe të përgjegjshme të drejtësisë janë gur themeli të një shoqërie të ngritur mbi të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

--

--