Mont Blanc: Shija e ëmbël e Beratit
Nga: Nora Kushti
Deri dje, Mont Blanc për mua ishte thjesht mali më i famshëm i Francës. Por gjatë vizitës në Berat, kuptova se Mont Blanc mund të ishte edhe diçka tjetër — për shembull embëlsira më e famshme e qytetit të Beratit.
Ndërsa isha ulur të shijoja një kafe në një nga kafenetë e shumta të qytetit, dëgjova klientët e tavolinës ngjitur të diskutonin për planet e tyre për të shijuar Mont Blanc-in e famshëm. U bëra shumë kurioze dhe u mahnita më pas, me historinë që më tregoi mikesha ime nga qyteti i Beratit.
Ajo më shoqëroi te Pastiçeri Turizmi, një pastiçeri që ndodhet në Bulevardin Republika, në zemër të qyetit të Beratit dhe drejtohet me shumë dashuri nga Loreta Reovica.
Nën drejtimin e Loretës, pastiçeria ishte në proces të një ndryshimi thelbësor.
Loreta më tregoi për historinë e Mont Blanc, ose siç e quante ajo me dashuri, “Monblani i Beratit”. E sjellë në fillim në qytet nga shefi i kuzhinës së Hotel Turizmit në vitin 1969, tashmë kjo ëmbëlsirë përfaqëson një pjesë të pandarë të identitetit kulinar të qytetit, me rrënjë të thella në traditat e tij.
Rrugëtimi i Pastiçeri Turizmit nisi në vitin 1994, kur Loreta dhe familja e saj blenë dhe rimëkëmbën hotelin më të vjetër në qytet — Hotel Turizmin. Biznesi i tyre u bë shndërrua në një pastiçeri të suksesshme, e njohur mbi të gjitha për prodhimin e ëmbëlsirave më të famshme në qytet — Taboshi dhe Monblani, siç i quajnë banorët e qytetit.
Megjithë sukesin e arritur qysh prej fillimit, Loreta ishte e ndërgjegjshme për rëndësinë e zhvillimit të vazhdueshëm të biznesit, në kushtet e një tregu mjaft konkurrues. Kështu, kur lindi mundësia për të marrë pjesë në programin “Rritu me biznesin tënd”, ajo u përfshi me shumë dëshirë , duke e parë këtë mundësi si një shans për të rigjallëruar e shtyrë biznesin drejt një suksesi edhe më të madh. Strategjia e vënë në dispozicion nga programi u kthye në udhëzuesin e tyre më të rëndësishëm gjatë kësaj periudhe.
Duke qenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e forcimit të aftësive për menaxhimin e biznesit, ata morën pjesë në një sërë trajnimesh me qëllim rritjen e kapaciteteve në këtë drejtim.
Një nga prioritetet e tyre ishte rritja e efiçencës përmes investimit në një frigorifer të ri ekspozitor i cili u mundësua nga granti i vënë në dispozivion nga UNDP-ja. Kjo pajisje moderne tashmë mundëson ekspozimin e produkteve në mënyre estetike, duke siguruar njëkohësisht freskinë dhe cilësinë e produktit, një aspekt ky të cilit binzesi i kushton një rëndësi të veçantë.
Nën drejtimin e konsulentëve të projektit, Loreta dhe stafi i saj u fokusuan edhe në zbatimin e protokollit të Praktikave të Mira të Prodhimit (Good Manufacturing Practices-GMP) si edhe të standardeve të metodologjisë japoneze 5S për të forcuar sigurinë ushqimore si edhe për të rritur produktivitetin në ambjentet e punës.
Ribrandimi i Pastiçeri Turizmit, ishte një hap tjetër i rëndësishëm që biznesi ndërmori në kuadër të projektit. Biznesi u mbështet për t’u pajisur me një logo dhe identitet të rifreskuar si edhe një sërë materialesh promocionale.
Gjithashtu, ata u trajnuan edhe për menaxhimin efektiv të rrjeteve sociale, duke zgjeruar kështu rrjetin e tyre për t’u lidhur me entuziastët e ëmbëlsirave në mbarë botën.
E ndërkohë që biznesi sheh larg për të realizuar objektivat afatgjatë si për shembull regjistrimin e 2 recetave unike, Loreta nuk e humb vëmëndjen ndaj objektivave afatshkurtër.
Dhe sukesi ne këto objektiva është më se i dukshëm — me një rritje impresionuese prej 69% në nivelin e shitjeve, 20% në zbatueshmërinë e protokollit GMP dhe rritje me 15% në numrin e ndjekësve në Instagram.
Pastiçeri Turizmi është një nga 8 bizneset e vogla që përfituan nga pilotimi i programit “Rritu me Biznesin Tënd”. Zbatuar në bashkëpunim të ngushtë me Bashkinë Berat, ky program i UNDP-së i implementuar me sukses në shumë shtete të tjera të botës, synon të forcojë bizneset e vogla përmes konsulencës së personalizuar, trajnimeve dhe granteve për modernizimin e pajisjeve dhe imazhit tregtar.
E ndërsa e hedh vështrimin mbi pedonalen plot njerëz të qytetit, Loreta na tregon me një buzëqeshje në buzë, se për të pastiçeria është shumë më tepër se sa thjesht një biznes — ajo përfaqëson historinë e suksesit të saj të ëmbël.