Një shije suksesi: Historia e Agromeljonit

UNDP albania
5 min readApr 29, 2024

--

Nga: Nora Kushti

Armelën e takova në një dyqan të vogël e simpatik, që m’u duk si një thesar i fshehur mes rrugicave me kalldrëm të qytetit të vjetër të Beratit. Sapo hyra brenda, ndjeva menjëherë aromën ndjellëse të reçelrave të sapopërgatitur.

Teksa Armela na priti me një buzëqeshje të ngrohtë, sytë më shkuan menjëherë te gama e gjerë e produkteve artizanale të ekspozuara me shumë shije mbi tavolinë. Armela na ofroi me dashamirësi të provonim disa nga produktet e saj: reçel arrash, pjeshke dhe qershie e shumë produkte të tjera. Pas secilës kafshatë, më dukej sikur nisesha në një rrugëtim kulinar plot shije, i cili mbartte brenda vetes mjeshtërinë, dashurinë dhe sfidën për gjetjen e përsosmërisë.

Megjithatë, ajo që më mahniti nuk ishte thjesht shija e shkëlqyer e produkteve artizanale që provova. Çka më mahniti mbi të gjitha, ishte historia e Armelës, me pasionin dhe vendosmërinë e saj për të arritur suksesin.

Armela — një vajzë e re, e zgjuar dhe ambicioze — nisi të më tregonte me dashamirësi për historinë e biznesit të saj të vogël, por tashmë tepër të suksesshëm.

E ndërkohë që ju tregoj për rrugëtimin e Armelës, ju ftoj të më ndiqni në një udhëtim në zemrën dhe shpirtin e Agromeljonit — një rrugëtim i mbushur me sfida dhe triumfe e i lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me shpirtin e një vajze të vendosur për të gdhendur rrugën e saj.

Agromeljoni u krijua nga Armela Qendro, një vajzë 28-vjeçare, teknologe ushqimore në profesion, e cila u kthye në Berat pas përfundimit të studimeve në Itali. E shtyrë nga një dëshirë e hershme për të pasur sipërmarrjen e saj, Armela, me mbështetjen e partnerit të saj Arjonit, themeloi Agromeljonin, një biznes i specializuar në prodhimin artizanal të një sërë reçelrash organikë, salcës së domates, kompostove, glikove, uthullës së mollës së egër dhe një sërë produktesh të tjera me bazë frutat e thata.

Agromeljoni e zgjedh dhe grumbullon me shumë kujdes lëndën e parë nga fermerët e zonës së Karkanjozit, një fshat piktoresk në rrëzë të malit madhështor të Tomorrit.

Pavarësisht sfidave të shumta të lidhura më shitjet e paqëndrueshme dhe ekspertizën e kufizuar në marketing, Armela ishte e vendosur për ta shndërruar Agromeljonin në një sipërmarrje të sukseshme. Kur mësoi për programin e UNDP-së “Rritu me Biznesin Tënd”, ajo u tregua menjëherë e gatshme për t’u bërë pjesë e tij, duke e parë si një mundësi për rritje dhe zhvillim.

“Rritu me biznesin tënd” (Growing with Your Business — GYB) është një metodologji për mbështetjen e biznesit, që është zbatuar me sukses nga UNDP-ja në mbi 12 shtete të ndryshme, përgjatë 15 viteve të fundit.

Programi fokusohet kryesisht në sipërmarrjet mikro e të vogla, dhe synon të përmirësojë aftësitë e tyre të të bërit biznes, duke forcuar kapacitetet për të zgjeruar tregun dhe për t’u integruar në mënyrë më efektive në zinxhirët lokalë, kombëtarë e ndërkombëtarë të vlerës.

Me mbështetjen e Bashkisë Berat, GYB-i u pilotua për herë të parë në Shqipëri në 8 biznese në këtë bashki.

Gjatë periudhës 6-mujore të ndërhyrjes, Armela punoi ngushtësisht me një konsulente biznesi të dedikuar, e cila e ndihmoi me konsulencë të personalizuar, në linjë me nevojat specifike të biznesit të saj.

“Investimi në pajisje nëpërmjet grantit të UNDP-së ishte gjithashtu një element shumë i rëndësishëm për përmirësimin e produktivitetit dhe rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore në Agromeljon” — theksoi Armela.

Blerja e makinerive, duke përfshirë një arrëthyes, një pajisje për prodhimin e salcës, makineritë e bluarjes dhe tharjes së frutave dhe kontejnerët prej çeliku inoks, i ndihmuan të transformonin procesin e tyre të prodhimit, duke rritur efiçiencën dhe kontrollin e cilësisë.

Nga ana tjetër, zgjerimi i bazës së klientelës B2B dhe pjesëmarrja në panairet lokale dhe kombëtare, përmes mbështetjes së UNDP-së, rriti më tej vizibilitetin e Agromeljon dhe i ndihmoi në zgjerimin e tregut të tyre.

“Për mua Agromeljoni nuk është thjesht një biznes për të bërë para duke shitur produkte. Për mua Agromeljoni është instrumenti i cili më ndihmon të komunikoj në mënyrën time, përmes asaj që di të bëj më mirë, me botën” thekson Armela me sytë që i shkëlqejnë.

Pavarësisht sfidave me të cilat u përballën gjatë rrugëtimit, Armela dhe ekipi i saj punuan pa u lodhur për arritjen e synimeve të tyre. Përmirësimi i përputhshmërisë me protokollin e Praktikave të Mira të Prodhimit (GMP) dhe standardet japoneze 5S për përmirësimin e produktivitetit dhe higjienës në vendin e punës, i ndihmuan të rrisnin standardin e cilësisë, duke rritur kështu edhe besimin ndër klientët e tyre.

Ky transformim rrënjësor reflektohet më së miri në sukseset që Agromeljoni arriti gjatë programit, si dyfishimi i nivelit mujor të shitjeve, shtimin e bazës së klientëve më katër klientë të rinj biznesi në zonat turistike të Beratit, Tiranës dhe Vlorës, dhe një rritje mbresëlënëse prej 85% në zbatimin e protokollit të cilësisë GMP. Logo dhe marka e Agromeljonit gjithashtu u përmirësuan në mënyrë rrënjësore, si edhe u krijuan e prodhuan etiketa të reja më tërheqëse për produktet. Prania e biznesit në rrjetet sociale u përmirësua gjithashtu në mënyrë të dukshme.

Alketa Skëndaj, një konsulente biznesi me shumë përvojë, e cila e ndoqi Armelën në rrugëtimin 6-mujor të programit thekson: “Ky program, i cili fokusohet në rritjen e konkurrueshmërisë dhe zgjerimin e tregut për bizneset e vogla, ka qenë jetik për zhvillimin e Agromeljonit. Kapacitetet e fituara përmes programit do të jenë thelbësore për vazhdimin e procesit të rritjes së këtij biznesi edhe në të ardhmen”.

Teksa i them mirupafshim Armelës, ajo me thotë me vendosmëri dhe vështrimin e ngulur në horizont: “Rrugëtimi ynë sapo ka nisur. Çdo sfidë vjen me një mundësi për t’u rritur. Ne do të vazhdojmë ta rrisim më tej Agromeljonin, kavanoz pas kavanozi”.

--

--

No responses yet