Një histori për arsimin dhe solidaritetin evropian
Nga: Nora Kushti
Çdo herë që shkoj të vizitoj një nga shkollat e rindertuara nga Programi “EU4Schools” (“BE për Shkollat”), e gjej veten duke u rikthyer pas në kujtime. Kujtoj shkollën time në Shqipërinë komuniste dhe atë të fëmijëve të mi në Shqipërinë post-komuniste. Asgjë nuk krahasohet me shkollën që kam përpara syve:
Klasa të mëdha! Të mirë-ndriçuara! Me ngrohje të mirë! Banka dhe karrike të mrekullueshme dhe shumëngjyrëshe! Fusha sporti! Palestra! Laboratorë modernë! Biblioteka! Ashensorë për persona me aftësi të kufizuara! Lista është e pafundme! Një pamje fantastike!
Një shkollë? Jo! 63 shkolla të niveleve të ndryshme për të përmbushur ëndrrën e rreth 24,500 fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve — një premtim në letër gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve më 17 shkurt 2020 për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë të rimëkëmbet nga fatkeqësia — tashmë i bërë realitet falë financimit bujar të evropianëve përmes Bashkimit Evropian. Ata e dinë tepër mirë rëndësinë e një arsimimi të mirë. Dhe nuk është rastësi që një kopsht në Qerekë në Bashkinë e Krujës ka marrë emrin “Kopshti Evropa” nga vetë fëmijët — një kujtesë e solidaritetit dhe e mbështetjes së palëkundur evropiane. Ata u janë mirënjohës!
Pse godinat e #EU4Schools janë një risi?
Të gjitha shkollat dhe kopshtet e programit “BE për Shkollat” janë ndërtuar duke u bazuar në dy parime kryesore të mishëruara në këtë program: #RindërtojmëMëMirë dhe #RindërtojmëSëBashku — të cilat nënkuptojnë ndërtimin e strukturave më të forta, që mund t’iu rezistojnë fatkeqësive dhe që janë në përputhje me standardet më të larta evropiane të cilësisë dhe sigurisë, me konsum efikas të energjisë për të mbrojtur mjedisin. Ato nënkuptojnë ndërtimin e institucioneve arsimore moderne dhe bashkëkohore të përshtatshme për shekullin e 21-të. E çdokush meriton një arsimim të mirë. Aty mbruhet e ardhmja. Gjithashtu nënkuptojnë angazhimin e vetë përfituesve, fëmijëve, mësuesve, prindërve dhe komunitetit për t’i dhënë zë nevojave të tyre në procesin e rindërtimit përmes konsultimeve dhe komunikimit të vazhdueshëm.
7200 fëmijë në 21 institucione arsimore tashmë e ndjekin procesin mësimor në shkolla të reja dhe moderne, në ato shkolla të cilat ata vetë i vizatonin në letër në mijëra forma dhe mori ngjyrash. Një ëndërr e bërë realitet!
Dëshmi të fuqishme
Fatjona Palaj, nxënëse e klasës së tetë në shkollën 9-vjeçare “Gjokë Elezi” në Laç, Kurbin, thotë:
“Më kujtohet shkolla jonë e vjetër, gjatë ditëve të ftohta të dimrit ngroheshim me një sobë me dru. Shpesh shiu përmbyste të gjithë klasën dhe mësimi pezullohej derisa klasat të “thaheshin”, për të mos përmendur bankat dhe tavolinat që ishin gati duke u shkërmoqur. Kujtime të trishtueshme!”
Më 26 nëntor 2019, shkolla jonë u dëmtua tërësisht. Për dy vite kemi bërë mësim me turne në një shkollë këtu pranë teksa e jona po rindërtohej. Tani që kemi nisur orët e mësimit në shkollën tonë të re të mrekullueshme, ndihemi shumë më të motivuar për të fituar njohuri, ndihemi më të sigurt, ndihemi sikur mund të pushtojmë botën”.
Ejona Cerepi, djali i së cilës është nxënës i shkollës 9-vjeçare “Mehmet Babamusta” në Kavajë, thotë:
“Ky vit i ri shkollor e gjeti djalin tim Dionin në një shkollë të re. Ambiente bashkëkohore sipas standardeve më të mira evropiane, që përputhen mirë me vizionin dhe misionin e shkollës: një shkollë pa barriera, e cila u jep nxënësve njohuri dhe i përgatit për të ardhmen”.
“Dioni ndjen se kreativiteti i tij po lulëzon në këtë mjedis të ri me standarde të larta për procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Klasat, laboratorët dhe bibliotekat u ofrojnë nxënësve mundësinë për të ndjekur ëndrrat e tyre. Nga ana tjetër, fushat sportive u japin fëmijëve tanë mundësinë që të qëndrojnë të shëndetshëm” — thotë Ejona.
Naim Alla, mësues i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në shkollën 9-vjeçare dhe kopshtin “Sherif Dervishi” në Budull, Krujë, thotë:
“Tërmeti i tmerrshëm e shkatërroi shkollën tonë. Falë “EU4Schools” po jetojmë një realitet tjetër. Çdo ditë marrim kërkesa për t’u regjistruar këtu nga fëmijë të shkollave fqinje. Mësimdhënia jonë është bërë shumë më shumë produktive! Laboratorët, fushat sportive, palestra, sistemi i ngrohjes dhe çdo gjë tjetër është absolutisht ndryshe dhe absolutisht më e mirë”.
Këto janë vetëm disa nga zërat e komunitetit të fëmijëve dhe prindërve. Këto janë shprehimisht mendimet e tyre. Kam lënë pa përmendur vetëm disa mijëra fjalë mirënjohjeje që vinin nga zemrat e tyre. Ata ndjejnë se Evropa nuk ka qenë kurrë më pranë se kaq.
Retrospektivë
Tërmeti me magnitudë 6,3 që goditi Shqipërinë në nëntor të vitit 2019, la pas viktima, shkatërroi shtëpi, shkolla, biznese. Më kujtohet fare mirë ajo ditë e trishtë. Toka vetëm lëkundej. Shtëpia jonë gjithashtu, ndërkohë që unë vetëm bërtisja dhe kisha frikë për fëmijët e mi. Pamjet në televizor, më pas, ishin tronditëse. Kishin mbetur njerëz nën rrënoja. Shkatërrim. Frikë. Zemërimi kishte kapluar! Dhe lajmet e solidaritetit evropian ishin të shpejta! Në terren. Me njerëzit. Duke shtrirë dorën e ndihmës. Edhe ne në UNDP. Është një nga ato momente që ti ndihesh me të vërtetë krenar që punon për një organizatë që punon për njerëzit.
Si sot dy vjet më parë, Bashkimi Evropian organizoi Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë” në Bruksel me një qëllim të vetëm: Mbështetja e përpjekjeve për rindërtim pas tërmetit shkatërrues. Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe Qeveria e Shqipërisë kryen një Vlerësim të Nevojave pas Fatkeqësisë, i cili shërbeu si mjet udhëzues për Konferencën dhe si bazë për përpjekjet e rindërtimit dhe të rehabilitimit. Komisioni Evropian premtoi 115 milionë euro nga buxheti i BE-së për rindërtimin dhe rehabilitimin e ndërtesave kryesore publike në një kohë të shkurtër. Kështu erdhi në jetë Programi “EU4Schools” me një buxhet prej 75 milionë euro nga kontributi i BE-së dhe fondet e veta të UNDP-së prej 765,000 euro. UNDP-ja po e zbaton Programin.
Dhe ky është momenti kur ëndrrat e fëmijëve nisën të merrnin formë.
Statistikat mbartin fuqi
Vlerësimi i Nevojave pas Fatkeqësisë është një proces i drejtuar nga qeveria, i cili mundësoi një pamje të plotë të dëmeve fizike, humbjeve ekonomike dhe të kostove për përmbushjen e nevojave të rimëkëmbjes. Tërmeti nuk dëmtoi vetëm infrastrukturën e 321 institucioneve arsimore, por gjithashtu laboratorë, orendi, pajisje të TIK, biblioteka, tekste shkollore dhe materiale të tjera mësimore. Një pamje e trishtueshme.
#BE për Shkollat
· 63 institucione arsimore qëndrojnë në zemër të Programit
· 11 bashki të synuara
· 1 087 897 përfitues në total
· 24 500 nxënës, fëmijë dhe mësues që përfitojnë
· 21 objekte arsimore të përfunduara.
Dy vite më pas
Dy vite pasi evropianët treguan solidaritetin e tyre të pashembullt për Shqipërinë, fëmijët janë të parët që e “ndjejnë” dhe e jetojnë atë. Shkollat e reja e kanë bërë mësimnxënien dhe mësimdhënien më interesante, më produktive, më argëtuese. Gjithmonë kam menduar se kur u jep fëmijëve një arsimim të mirë, u hap atyre një botë të re. Unë besoj se “EU4Schools” e ka bërë këtë. Ata ndihen më evropianë se kurrë.