Një projekt i destinuar për të ndryshuar të ardhmen e fëmijëve

UNDP albania
6 min readJul 4, 2022

--

Qeveria Kroate i vjen në ndihmë Shqipërisë për të rindërtuar një shkollë dhe një kopsht të dëmtuar nga tërmeti.

Fushë Krujë, 26 nëntor 2019. Agim.

Toka vetëm lëkundej.

Ndërtesat u shembën duke zënë poshtë tyre njerëz dhe duke i bllokuar ata nën rrënoja.

Njerëzit humbën të dashurit e tyre, shtëpitë dhe bizneset.

Fëmijët e Fushë Krujës humbën një objekt shumë të dashur për ta. Humbën shkollën e tyre. Por kjo nuk i demoralizoi.

Çfarë mbeti pas nga tërmeti…
Shkolla e vjetër 9-vjeçare “Iliria”

Ina Skenderi, një nxënëse e klasës së tetë në shkollën nëntëvjeçare “Iliria” risjell në kujtesë ditën pas tërmetit, kur së bashku me miqtë e saj shkuan për të parë gjendjen e shkollës së tyre.

“Kishte pësuar shumë dëme. Mësuesit nuk na lejuan të afroheshim pasi druheshin për sigurinë tonë. Godina e mëparshme e shkollës kishte shumë probleme infrastrukturore. Kishte shumë lagështirë dhe dukej sikur po shembej dita ditës. Lajm i mirë është që në vend të saj po ndërtohet një shkollë e bukur. Bashkë me miqtë e mi kemi qenë pjesë e konsultimeve për shkollën e re. Arkitektët paraqitën dy versione për projektin dhe na u kërkua të zgjidhnim një prej tyre. Kjo ishte diçka e mrekullueshme për ne”.

Danjela Lleshaj dhe Klea Zalla, nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Iliria”

Pamela Hasa, nxënëse në të njëjtën shkollë thotë: “Shkolla jonë është ende në ndërtim e sipër, por që tani duket një ëndërr e bërë realitet. Na kanë thënë që do të ketë një palestër, një fushë sporti, një laborator shkencor me të gjitha pajisjet, bibliotekë dhe çdo gjë tjetër që ka një shkollë në Evropë”.

Projekti i shkollës 9-vjeçare “Iliria”

Skerdi Karaj — Drejtor i shkollës nëntëvjeçare “Iliria” thotë: “Si Drejtor i shkollës prej më shumë se tre vitesh, sfida ime më e madhe ka qenë infrastruktura e shkollës. Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit solli dëme të tjera, të cilat nuk mund të riparoheshin lehtësisht dhe njëkohësisht solli ndjenjën e pasigurisë te nxënësit dhe mësuesit. Fatmirësisht me mbështetjen bujare të Qeverisë Kroate, po ndërtohet një institucion arsimor i përshtatshëm për shekullin e 21-të, ambientet e të cilit do t’i rezistojnë fatkeqësive natyrore. Si asnjëherë më parë u përfshimë në konsultimet për godinën e re. Kjo na përcolli një ndjenjë të fortë përkatësie”.

Momente gjatë konsultimeve publike për shkollën e re

Kujtim Zalla — banor i Fushë Krujës thotë: “Unë jam banor i Fushë Krujë. Fëmijët e mi shkojnë në shkollën nëntëvjeçare “Iliria”. Edhe përpara se të ndodhte tërmeti, shkolla ishte e vjetruar dhe nuk plotësonte kushtet e nevojshme për një arsim të denjë. Pas tërmetit ajo u kthye në një rrezik të madh për nxënësit dhe mësuesit. E kam parë projektin e shkollës dhe jam në dijeni të karakteristikave të reja të saj. Jam më se i lumtur. Gjithçka që mund t’u jap fëmijëve të mi është një arsim i denjë.

Kujtim Zalla, banor i Fushë Krujës. Foto: UNDP në Shqipëri

Një investim “smart” nga Qeveria Kroate

Shkolla e re, një investim prej një milionë eurosh nga Qeveria Kroate, është pjesë e Fondit për Mbështetjen e Rimëkëmbjes së Arsimit që i është vënë në dispozicion Shqipërisë për t’u përballur me tërmetin shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.

UNDP, si zbatues i Programit, kombinon dy parime kryesore gjatë procesit të rindërtimit: #Rindërtojmëmëmirë dhe #Rindërtojmësëbashku.

Ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Drejtoresha Rajonale e UNDP-së për Evropën dhe Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, Mirjana Špoljarić Egger, gjatë vizitës në kantierin e punimeve për rindërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe të kopshtit “Iliria”, të cilat po rindërtohen falë partneritetit ndërmjet UNDP-së dhe Qeverisë Kroate.

#Rindërtojmëmëmirë do të thotë struktura më të forta të cilat mund t’i rezistojnë tërmeteve dhe fatkeqësive natyrore, duke mbartur standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë. Shkolla e re do të ketë burime të rinovueshme të energjisë, do të jetë tërësisht e aksesueshme për nxënësit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara dhe do të ketë hapësira të posaçme për kujdesin mjekësor dhe mbështetjen psikologjike. Ajo do të ketë edhe klasa moderne, fusha sportive të brendshme dhe të jashtme, sisteme ftohjeje dhe ngrohjeje, dhomë mjeku dhe psikologu, si dhe ambiente të tjera për aktivitete kulturore.

Gjatë procesit të rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “Iliria”

Zëvendës-shefja e Misionit në Ambasadën Kroate në Tiranë, znj. Maja Drmač, tha: “Ky është një investim strategjik i Qeverisë Kroate në Shqipëri. Është një investim për brezat e ardhshëm të Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Prandaj mbart një rëndësi shumë të veçantë. Presim me padurim të shohim përfundimin e shkollave përpara nisjes së vitit të ardhshëm akademik, të cilat do t’u shërbejnë 150 fëmijëve dhe 14 mësuesve. Shkolla po ndërtohet me standardet më të larta evropiane. Ajo do të jetë më e madhe, më e sigurt dhe do të ketë të gjitha pajisjet që nevojiten për procesin e mësimdhënies dhe nxënies.

Zëvendës-shefja e Misionit në Ambasadën Kroate në Tiranë, znj. Maja Drmač gjatë inspektimit të kantierit të ndërtimit në shkollën 9-vjeçare “Iliria” Fushë-Krujë

Në nisje të vitit akademik vitin e ardhshëm, 150 nxënës dhe 14 anëtarë të stafit mësimdhënës do të rikthehen në këtë shkollë.

Nëse shkoni në Fushë Krujë, kemi një sugjerim: Shkoni dhe vizitoni shkollën e sapondërtuar. Nuk ka asgjë më frymëzuese se sa fytyrat e qeshura të fëmijëve. Ata janë të lumtur për këtë investim që do t’u ndryshojë të ardhmen.

--

--

No responses yet