Pas Termetit: 15 biznese te vogla rimekemben
Xhemal Avdi është një saldator me eksperiencë — profesion prej të cilit, ai mban familjen e tij prej shtatë vetash.
Jeta e detyroi Xhemalin të fillonte punë në një moshë shumë të re, si e vetmja mënyrë për të mbijetuar. Si pjesëtar i komunitetit Rom, ai gjithmonë mendon se i është dashur të punojë pesë herë më shumë se njerëzit e tjerë për të siguruar jetesën.
Ndonjëherë, ai dhe djali i tij janë të vetmit që mund të fitojnë të ardhura për familjen e tyre të madhe, pasi gruaja e Xhemalit vuan nga një dëmtim i gjurit që i vështirëson ecjen, e doemos dhe punën. Fëmijët e tjerë janë në moshë të vogël dhe Xhemali po i nxit të vazhdojnë shkollën e jo te punojnë, në mënyrë që të evitojnë vështirësitë me të cilat ai përballet akoma, cdo ditë.
Tërmeti i 26 Nëntorit që goditi rëndë qytetin e tij, Durrësin, i ktheu botën përmbys, duke shkatërruar gati cdo gjë me anë së cilës Xhemali punon për të ardhmen — shtëpinë, punishten, veglat e saldimit dhe pajisjet. Brënda një minuti, i cili për Xhemalin — që humbi gjithcka— ngjau më shumë se një vit, shtatë pjesëtarët e familjes mbetën pa një burim të sigurt të ardhurash për të ardhmen e afërt.
Pa humbur kohë, Xhemali filloi të rregullonte vetë dëmet që pësoi punishtja, por e kishte financiarisht të pamundur të zëvëndësonte veglat të cilat i ishin bërë si pjesë e vetes me kalimin e viteve. Pas tërmetit, gjatë atyre ditëve të para kur pluhuri i ndërtesave të shëmbura nuk kishte zën akoma vend mbi rrugët e qytetit të dytë më të madh në Shqipëri, ishin miqtë dhe bashkëpunëtorët ata që i qëndruan Xhemalit afër, duke i huazuar disa nga veglat të cilat ja lehtësuan pjesërisht familjes pasigurinë që me të drejtë e kishte pushtuar.
Së shpejti, Xhemali u bë një nga pesëmbëdhjetë përfituesit e Programit të PNUD ‘In-Motion’ — një ndërhyrje pilot për Shqipërinë, e cila nisi vetëm disa ditë pas tërmetit që vrau 51 njerëz dhe lëndoi mbi 3,000 të tjerë dhe që synon të rimëkëmbi mikro-bizneset më të prekura duke përmirësuar kushtet e tyre socio-ekonomike.
Pjesë e strategjisë së ndërhyrjes është shndërrimi i përfituesve nga pronarë biznesi, ose punëtorë të thjeshtë, në sipërmarrës të aftë të rishpikin veten dhe imazhin e tyre të biznesit pas krizës. Metodologjia është testuar me sukses në vende të tjera të prekura nga katastrofat natyrore. 15 pronarë të mikro-bizneseve më të prekura në Bashkinë e Durrësit nënshkruan letrat e angazhimit dhe filluan të punojnë për rimëkëmbjen e mikro-bizneseve menjëherë.
Gjatë konsultimeve të para të ‘In-Motion’, Xhemali nuk fliste shumë, por ishte shumë i vëmendshëm dhe mbante gjithmonë shënime. Ai tregoi përkushtim për të ndërmarrë të gjithë veprimet e nevojshme për të rikuperuar biznesin e tij, për të rritur aftësitë e tij sipërmarrëse, për të rikrijuar imazhin e tij tregtar dhe për të përdorur sa më mirë pajisjet e reja. Ai u ndihmua nga ekipi ‘In-Motion’ gjatë çdo hapi.
“Që fëmijë, mësova se veprat flasin më shumë se fjalët, prandaj preferoj të dëgjoj dhe të veproj, në vend që të flas. Konsultimet ishin vendi i duhur për këte, sepse të ofronin mundësi për të mësuar dhe pastaj për ta aplikuar te profesioni ku kam investuar jetën. Tani po i shohim ‘benefitet’ e këtij tërmeti që na tmerroi– kjo është prova që dicka e mirë mund të dali nga cdo situatë nëse nuk dorëzohemi kurrë dhe përpiqemi shumë. Ky ka qënë mësimi më i vlefshëm deri tani,” thotë Xhemali.
Brënda shtatë muajsh pune të palodhur, trajnimi personal dhe leksione se si duhet menaxhuar një biznes, Xhemali tashmë ka një punishte të pajisur plotësisht. Ai ka përqafuar metodologjinë e ‘In Motion’ — veçanërisht filozofinë 5S (rënditje, rregullim, shkëlqim, standardizim dhe qëndrueshmëri), e cila e shndërroi punishten e tij nga një depo të improvizuar mjetesh dhe mobiljesh shtëpiake në një mjedis pune të pastër, të sigurt dhe produktiv. Tani, punishtja i tij është një vend ku Xhemali mund të ftojë klientët për të diskutuar ofertat e tij, ndërsa logo e re e biznesit i tërheq vëmendjen dhe atyre që nuk po kërkojnë për një saldator.
“Ishte krijimi dhe adaptimi i paketës së plotë të një imazhi të ri tregtar i cili frymëzoi Xhemalin dhe djalin e tij për të vepruar më tej. Aktualisht, dyqani i tyre po promovohet përmes një faqeje në Facebook, veprimtari e cila që tani ka tërhequr shumë kërkesa për bashkëpunime të reja dhe të mundshme biznesi,” thotë një konsulent i ekipit të PNUD, më familjar me punën e Xhemalit.
Pas ndihmës teknike të ofruar nga ‘In-Motion’, e cila financoi me një shumë totale prej $1,500 secilin nga perfituesit pas rezultateve të procesit diagnostikues, Xhemali u motivua për të rivlerësuar modelin e tij të biznesit — analizoi anën operacionale dhe eksploroi mënyrat për të përmirësur shitjet dhe për të ecur përpara.
Tashmë më i sigurt në vetvete për t’u përballur me betejat e jetës, ai nuk e humbi motivimin kur pandemia COVID19 — një tjetër krizë madhore e cila preku mikro-bizneset papritmas — mbërriti në Shqipëri, por aplikoi aftësitë e sapofituara të përshtatjes për t’i mbijetuar sfidës së rradhës. I vetëdijshëm se maska e tij e saldimit nuk do të mjaftonte për të ruajtur klientelën e tij, e cila sapo po rritej në momentin kur vendi hyri në karantinë të rreptë, ai hapi një faqe në Facebook për biznesin e tij dhe vazhdoi të merrte porosi dhe të ofronte shërbime në internet, i pa-bezdisur nga kufizimet fizike dhe duke vazhduar punën me djalin e tij në punishte.
Kështu, duke vlerësuar këshillimin teknik dhe të biznesit të ofruar nga ekipi i ‘In-Motion’, Xhemali jo thjesht rikuperoi, por përmirësoi plotësisht biznesin, duke vepruar dhe kryer ndryshimet e nevojshme sipas eksperiencës së tij, por edhe sipas mësimeve të fituara gjatë proçesit.
Pasi e kuptoi se çfarë nevojitet për një model të suksesshëm biznesi të qëndrueshëm, Xhemali nisi të cmojë edhe furnizuesit e tij. Ai kërkoi shitës tek të cilët mund të mbështetej. Promovimi i punës së tij u shtri përtej Durrësit në qytete të ndryshme, edhe në sajë të faqes së Facebook-ut. Imazhi tregtar, logo-ja dhe idetë e biznesit të përshtatura me krijimtari, të cilat erdhën bashkë me veglat e punës të zëvendësuara nga ‘In-Motion,’ ishin thelbësore për shtimin e klientelës.
“Jemi rrëzuar dhe ngritur përsëri shumë herë. Duhet të ngrihemi përsëri,” — dicka të cilën Xhemali ua thotë shpesh klientëve të rregullt si një këndvështrim pozitiv dhe si mënyrë për tu përballur me jetën.
Xhemali është shëmbulli sesi fatkeqësitë natyrore mund të jenë jashtë kontrollit tonë, por nëse nuk dorëzohemi, mund të përballemi dhe të rimëkëmbemi më mirë dhe më shpejt sesa mendojmë. Sot Xhemali qëndron më i fortë në këmbë.