Në luftën kundër Coronavirus, çdo ndihmë është domethënëse

UNDP albania
4 min readSep 10, 2020

“Në fillim, ishte pothuajse e pamundur të besoja se isha diagnostikuar me COVID-19 — ndoshta sepse na pëlqen të supozojmë që këto gjëra nuk na ndodhin neve. Po kur habia fillestare kaloi, u frikësova shumë, sepse gati gjithë jetën kam vuajtur nga astma. Nuk kaloi shumë kohë, dhe u desh të shtrohesha në spital dhe të qëndroja në intubim. Gjatë atyre momenteve, kur askush përvec stafi i spitalit nuk të lejohet pranë, makineria që të con oksigjen në mushkëri të bëhet miku më i ngushtë — dhe mundësia e vetme për mbijetesë. Jam mëse mirënjohës që kam mbijetuar. Sot po ndaj këtë eksperiencë të frikshme që nuk do t’ja uroja askujt.” Ky është mesazhi i një pacienti të shëruar nga COVID-19, i cili preferon të qëndrojë anonim.

2020 ka qenë padyshim viti i sfidave të mëdha, por edhe i mësimeve të vlefshme. Për ata që i kanë kushtuar vëmendje, rëndësia e solidaritetit dhe bashkëpunimit njerëzor — mes familjarëve, midis të riut dhe të moshuarit, fqinjit me fqinjin, kolegut me kolegun, të huajit me të huajin — u bënë thelbësore. Bashkëpunimi intelektual që ka ndihmuar deri më tani shoqërinë tonë të bëj hapa gjigand përpara në teknologji dhe mjekësi ishte hallka lidhëse. Jetësimi i këtij bashkëpunimi ka bërë të mundur që numri i të shëruarve nga Coronavirus të tejkalojë numrin e atyre që kanë humbur betejën ndaj sëmundjes.

PNUD në Shqipëri ka qenë në vijën e parë të bashkëpunimit që nga fillimi i pandemisë, duke ndihmuar si komunitetet në nevojë, dhe autoritetet lokale dhe kombëtare. Një pjesë thelbësore e këtyre përpjekjeve ishte mbështetja e autoriteteve shëndetësore nëpërmjet prokurimit të ventilatorëve — makineri mjekësore që shpëtojnë jetë — të cilët përdoren për të trajtuar raste të rënduara të COVID-19, por edhe sëmundje të tjera të mushkërive.

Gjatë ceremonisë së dorëzimit të ventilatorëve tek Qëndra Spitalore Universitare Nënë Tereza

31 ventilator të prokuruar nga PNUD me mbështetjen financiare të qeverive zvicerane dhe norvegjeze, të cilat i shtuan kontributit të PNUD prej USD 150,000, përkatësisht USD 330,000 dhe USD 300,000, iu dorëzuan Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ventilatorët u blenë si pjesë e përpjekjeve kolektive për të luftuar pandeminë COVID-19 dhe për të rritur kapacitetet e sistemit shëndetësor në Shqipëri për të përballuar këtë emergjencë, por dhe më gjërë.

“Avantazhi më i madh i ventilatorëve është përdorimi i tyre afatgjatë, aftësia e tyre për të shërbyer si makineri jetë-shpëtuese, dhe jo vetëm për trajtimin e COVID19. Ventilatorët mund të ndihmojnë mushkëritë të kalojnë një numër sëmundjesh, dëmtimesh dhe operacionesh dhe pikërisht për këtë arsye janë jetike për trajtimin e suksesshëm të çdo pacienti që ka nevojë për ajër të pasur me oksigjen. Ky kontribut shkon përtej sfidës me të cilën po përballemi aktualisht dhe shpresojmë se do të ndihmojnë shumë pacientë drejt një shërimi të qëndrueshëm,” shpjegoi Doktor Krenar Lilaj.

Krenar Lilaj, doktor dhe koordinator i shërbimit të terapisë intensive per COVID-19 në Qëndrën Spitalore Universitare Nënë Tereza

Ventilatorët ju shtuan makinerive të njëjta të mundësuara më parë nga qeveria Shqiptare, për rolin e tyre kritik në trajtim e pacientëve nën kujdes intensiv. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë është kujdesur të fuqizojë spitalet rajonale dhe kombëtare me pajisjet më të përparuara teknologjike, prej të cilave më të rëndësishmet kanë qenë ventilatorët.

Ventilatorët janë jetësor për trajtimin e rasteve të rënduara të COVID-19

“Po fuqizojmë si spitalet universitare dhe ato rajonale, të cilëve nuk u kanë munguar shërbimet, me pajisje të përparuara teknologjikisht. Ne do të vazhdojmë të rrisim disponueshmërinë e materialeve që kontribuojnë në mbrojtjen e pacientëve”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në spitalin bashkiak të Lezhës.

Manastirliu ka theksuar gjatë muajve të kaluar se cdo ndihmë ndaj qeverisë duke siguruar pajisje mjekësore, sic janë ventilatorët, do të kontribojë thelbësisht në mundësitë e autoriteteve për të përmirësuar kujdesin i cili i ofrohet pacientëve me COVID-19 dhe për të rritur shanset e tyre për një shërim të shpejtë.

Në ceremoninë e dorëzimit të ventilatorëve ishin të pranishëm Ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Ambasadori i Norvegjisë në Shqipëri Erik Grondahl, zëvëndës Kreu i Misionit në Ambasadën e Zvicrës Patrik Meier dhe Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD në Shqipëri Limya Eltayeb.

Lufta kundër COVID-19 nuk ka mbaruar. Në këtë sfidë, çdo jetë e shpëtuar është e barabartë me një betejë të fituar. Për PNUD-in, cdo ditë bëhet më e qartë se përballja me armikun përmes bashkëpunimit dhe mbështetjes të qeverisë është jetike për të dalë fitimtar, si dhe për të mundësuar sa më shumë njerëz të tregojnë historitë e tyre të rimëkëmbjes përmes ndihmës së secilës prej këtyre makinerive që shpëtojnë jetën dhe ndihmës së kujdesshme të personelit mjekësor, i cili qëndron në vijën e parë të betejës kundër COVID-19.

--

--