Pas tërmetit: “Ana rrobaqepësi”-nje histori shprese
Engjellushe Cenkollari ka punuar si rrobaqepëse gjatë gjithë jetës. Ajo njihet për krijimtarinë, dizenjot e veçanta, një sy të shkëlqyer për detaje, mirësjelljen dhe energjitë e saj pozitive. Biznesi i vogël i Engjellushes — ‘Ana Rrobaqepësi’ — gëzonte një numër të konsiderueshëm klientësh përpara tërmetit të 26 Nëntorit që goditi rëndë qytetin bregdetar të Durrësit. Tërmeti e ktheu ndërtesën ku ajo jetonte dhe njëkohësisht punonte të pabanueshme.
Megjithatë, termeti me magnitudë 6,4 nuk mundi të shkatërronte shpresën për t’u rimëkëmbur duke marrë parasysh potencialin e madh të biznesit të saj.
Edhe më e motivuar përballë rrënojave, Engjellushja kërkoi një vendodhje të re për të rihapur dyqanin e saj dhe u bë një nga përfitueset e programit pilot të PNUD-it “In-Motion.”
PNUD nisi ndërhyrjen pilot që synon të stabilizojë jetesën dhe të përmirësojë kushtet socio-ekonomike të disa prej bizneseve të vogla të prekura nga tërmeti vetëm disa ditë pasi tërmeti la 51 persona të vdekur dhe më shumë se 3,000 persona të plagosur. Metodologjia e “In-Motion,” e testuar me sukses në vende të prekura më parë nga fatkeqësitë natyrore, solli së bashku pronarë të bizneseve të vogla më të prekura. PNUD firmosi letra angazhimi me 15 prej tyre.
Programi ka lehtësuar rihapjen e bizneseve të vogla, ka përmirësuar aftësitë sipërmarrëse të pronarëve dhe i ka ndihmuar të ri-krijojnë imazhin e tyre komercial, si dhe ka siguruar fondet për blerjen e pajisjeve të reja.
Kur “In-Motion” mblodhi per here te pare pronarët e 15 bizneseve të vogla që do të përfitonin drejtpërdrejt nga programi, Engjellushja foli për pajisjet, mallin dhe mobiljet e dëmtuara të rrobaqepësisë. Ajo mendonte për klientët që e njihnin dhe do e ndiqnin kudo që ajo do ta rihapte dyqanin e saj dhe të tjerë të cilët rrezikonte ti humbiste për shkak të mungesës së marketingut dhe një imazhi tregtar. Duke i besuar plotesisht programit, ajo vendosi të punonte me çdo gjë që kishte nevojë për përmirësim.
Pas vetëm gjashtë muajsh pune dhe konsultimesh, dhe pavarësisht ndikimit të COVID-19, tashmë ‘Ana Rrobaqepesi’ ka përmirësuar inventarin, llogarimbajtjen dhe analizimin e shitjeve. Metodologjia japoneze 5S u bë filozofia e drejtuese e punës së saj, ku 5S nënkupton “renditje, rregullim, shkëlqim, standardizim dhe qëndrueshmëri.” Këto hapa synojnë të rrisin produktivitetin, sigurinë, imazhin, qëndrueshmërinë dhe pastërtinë e një biznesi dhe të ulin mangësitë dhe kostot e tij.
Kundër çdo parashikimi, pandemia COVID-19, e cila ndikoi negativisht në bizneset dhe ekonominë globale, nuk e lejoi Engjellushen të humbiste besimin dhe nuk u bë pengesë në rrugën e fuqizimit te biznesit të saj. Duke përdorur menyrat virtuale të shitjes që bizneset në të gjithë botën filluan të përdorin dhe, veçanërisht, mbështetjen që “In-Motion” vazhdoi të ofronte për pronarët edhe virtualisht, proçesi i modernizimit dhe shitjeve të dyqanit të saj vazhdoi i pandërprerë nga Coronavirus-i.
‘Ana Rrobaqepesi’ aktualisht reklamon dhe promovon produktet dhe shërbimet në Internet, në WhatsApp dhe Instagram. Emri zyrtar i dyqanit në Instagram është @ana_rrobaqepesi dhe tashmë ka arritur një bazë prej pothuajse 1,500 ndjekësish.
Së shpejti, biznesi i Engjellushes do të pajiset me mobilje dhe pajisje të reja të cilat do të zëvendësojnë ato që u shkatërruan nga tërmeti, siç parashikohet nga “In-Motion”, në mënyrë që të maksimizohet mbështetja dhe efektet e ndihmës teknike. Shuma totale prej $1,500 është financuar nga PNUD, në mënyrë që të gjithë përfituesit e “In-Motion” të jenë në gjendje të përmirësojnë bizneset e tyre pas ndihmës teknike dhe rezultateve të procesit individual diagnostikues. Këto fonde do të ndihmojnë gjithashtu Engjellushen të praktikojë gjithçka mësoi gjatë procesit të rritjes së kapaciteteve së “In-Motion.”
Logot e reja, pjesë e imazhit tregtar të biznesit, do të jenë qershia mbi tortë që do të katapultojë biznesin e Engjellushes nga një dyqan të vogël lagjeje në një ofrues shërbimesh me cilësi të lartë, të njohur në të gjithë Durrësin.
“Nuk mund të bëjmë më shumë se të buzëqeshim, të vazhdojmë të punojmë dhe të jemi mirënjohës për mundësitë dhe gjërat e mira që na rrethojnë. ‘In-Motion’ ka qenë një nga këto mundësi të jashtëzakonshme për mua dhe familjen time. Ata më kanë mbështetur shumë financiarisht dhe jo vetëm. Dedikimi dhe idetë e tyre inovative ma përmirësojnë ditën dhe më kanë bërë ta vlerësoj shumë imazhin e ri të biznesit tim,” thotë Engjellushja.
“Bashkëbisedimi me Engjëllushen më ka bërë të kuptoj se të qëndrosh pozitiv në kohë të vështira është gjëja më e mirë që mund të bëjmë për veten dhe ata që na rrethojnë. Ajo krijon një atmosferë të ngrohtë dhe pozitive edhe për klientët e saj. Ajo është një grua e përulur, miqësore, punëtore dhe mirënjohëse, me një dëshirë të fortë për të përmirësuar jo vetëm biznesin e saj, por edhe aftësitë e saj. Nuk është shumë e zakonshme për bizneset e vogla në pozicionin e saj të reflektojnë një mendje të tillë të hapur. Sjellja e saj gjatë trajnimit në grup ka ndikuar edhe në bizneset e tjera. Ka qenë shumë e dobishme që e kemi patur në program,” thotë një nga këshilltarët e PNUD që ka punuar me Engjellushen që prej fillimit të “In-Motion.”
Biznesi “Ana Rrobaqepesi’ është i pari nga shumë biznese qe jane mbeshteur gjate kesaj periudhe. PNUD mbetet i përkushtuar për të ndihmuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe profesional të atyre që u goditën më fortë nga katastrofa natyrore më vdekjeprurëse që vendi ka parë gjatë 99 viteve të fundit.