Pas tërmetit: PNUD mobilizohet për të mbështetur Shqipërinë

UNDP albania
6 min readDec 24, 2019

--

Një ditë pas tërmetit

Një nënë e tre fëmijëve u gjend nën rrënoja duke përqafuar tre fëmijët e saj.

Ëndrra e një studenti 24 vjeçar për t’u bërë dermatolog u pre në mes.

Një familje me tetë anëtarë u gjend nën rrënoja pasi shtëpia e tyre katërkatëshe u shemb nga tërmeti. Më i vogli prej tyre ishte dy vjeç. Kësaj familjeje i mbeti vetëm një i mbijetuar-një djalë 17 vjeç, i ngrirë nga tronditja dhe i paaftë për të shqiptuar qoftë edhe një fjalë.

Një djalë i vogël i kërkoi një gazetari: Të lutem, a mund të më bësh një foto? Nuk më ka mbetur më asnjë..

Kështu e gjeti Shqipërinë mëngjesi i 26 nëntorit pas tërmetit me magnitudë 6.4 të shkallës rihter që vrau 51 persona.

Më shumë se njëmijë pasgoditje, disa prej të cilave me një magnitudë mbi 5 ballë, i dëmtuan edhe më shumë ndërtesat dhe tmerruan banorët.

Njerëzit humbën të dashurit, shtëpitë dhe kujtimet e tyre.

Si reagoi PNUD?

Përballë kësaj situate, u aktivizua një rrjet kombëtar dhe ndërkombëtar solidariteti për të ofruar ndihmë dhe mbështetje për njerëzit e prekur nga tërmeti.

Për t’iu përgjigjur përpjekjeve për rindërtim, PNUD-i dërgoi një ekip me gjashtë konsulentë ndërkombëtarë në çështjet e reagimit emergjent pas tërmetit dhe në përpjekjet e hershme për rimëkëmbje.

Një ekip ekspertësh ndërkombëtarë u dërguan në Shqipëri

Në bashkëpunim me qeverinë, përfshirë Komitetin e Emergjencave Civile, Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, si dhe Njësinë e Mbrojtjes Civile të BE-së, PNUD-i zbatoi metodologjinë për Vlerësimin e Dëmeve në Banesa dhe Ndërtesa.

Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD, Limy Eltayeb, flet për mbështetjen e PNUD-it pas tërmetit

Metodologjia është testuar me sukses në vende të tjera të cilat janë përballur me situata të ngjajshme pas tërmetit. Ajo konsiston në mbështetjen e autoriteteve për vlerësimin e dëmeve dhe të pasojave në infrastrukturën e ambjeteve të banimit dhe ambjenteve të tjera dhe për grumbullimin e informacionit.Të dhënat e mbledhura ndihmojnë për ndihmën emergjente dhe për planifikimin e rindërtimit.

Metodologjia u testua në terren në prani të autoriteteve të Qeverisë Shqiptare dhe të PNUD-it. Qeveria e përshtati atë metodologji për nevojat e autoriteteve të saj dhe institucionet kombëtare dhe inxhinierët po kryejnë aktualisht vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesat në shtatë bashkitë e prekura nga tërmeti.

Përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Limya Eltayeb, theksoi: “Ne jemi të lumtur që mundëm të mobilizojmë menjëherë ekspertizë ndërkombëtare nëpërmjet rrjeteve tona globale. Ky eshte nje nga rolet e PNUD-it-te sjelle praktikat me te mira dhe te shkembeje njohuritë dhe zgjidhjet digjitale nga një kontinent në tjetrin”.

Kjo është pamja e asaj që la pas tërmeti.

Shfrytëzimi i fuqisë së teknologjisë dhe vënia në kontakt me njerëzit në zonat më të largëta dhe njerëzit më të lënduar

Tërmeti ndikoi mbi jetët dhe mënyrën e jetesës së mijëra njerëzve, duke shkatërruar atë çka qytetarët e kishin ndërtuar për vite të tëra — duke i ngërthyer ata në një situatë edhe më të vështirë dhe duke përkeqësuar varfërinë ekzistuese. Dimri i gjeti ata në hotele, por edhe në çadra dhe duke jetuar tek të afërmit. Të moshuarit, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara u prekën rëndë dhe e kanë të vështirë të përballojnë situatën pas tërmetit.

Duke biseduar me persona në komunitetet lokale në Ishëm, Durrës-një nga komunitetet më të prekura

“Neve na janë dashur 15 vjet për ta ndërtuar këtë shtëpi pak e nga pak. Tani nuk e kemi më atë dhe nuk do të jemi kurrë më në gjendje ta rindërtojmë”- tha 32 vjeçarja Anila, që momentalisht jeton në një çadër jashtë shtëpisë së saj të dëmtuar, bashkë me burrin dhe vjehrrën, e cila ka probleme shëndetësore dhe ka nevojë për dializë për veshkat tri herë në javë”.

Anila dhe vjehrra e saj jetojnë në një çadër jashtë shtëpisë së tyre

Drita, një vajzë 10 vjeç nga Ishmi i Durrësit thotë se “është ende e tronditur nga lëkundjet që po vijojnë herë pas here”.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, PNUD-i mobilizoi punonjësit e tij dhe vullnetarë të shumtë përveç punonjësve të ministrisë, të cilët udhëtojnë shumë drejt zonave të largëta për të vlerësuar situatën e njerëzve të prekur nga tërmeti, duke përdorur instrumentin e Vlerësimit të Dëmeve në Banesa dhe Ndërtesa. Ky instrument siguron të dhëna të dobishme për qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë për zhvillim për të përcaktuar përparësitë në lidhje me ndihmën.

Fabrizio Andreuzzi, ekspert i PNUD-it për daljen nga kriza, shpjegon se për se të dhëna të besueshme janë të rëndësishme për rindërtimin

Deri më sot janë vlerësuar mbi 10.000 njerëz dhe 2.199 banesa.

Stafi i PNUD-it në terren

PNUD-i nënshkroi një marrëveshje me Institutin e Statistikave në Shqipëri (INSTAT) për të kryer një sondazh të shkurtër për Të ardhurat dhe Kushtet e Jetesës (SILC) për të vlerësuar kushtet e jetesës së qytetarëve të prekur duke përdorur metodologji novatore për grumbullimin e të dhënave të cilat do të jenë të dobishme për vendimet e shpejta të qeverisë për ndihmën sipas përparësive dhe në vijim për planin e rindërtimit.

Përfaqësuesja e Përhershme e PNUD-it, Limya Eltayeb dhe drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, nënshkruajnë një marrëveshje për zbatimin e SILC

Pas kësaj fatkeqësie, Qeveria e Shqipërisë duhet të vlerësojë me shpejtësi ndërtesat e dëmtuara dhe të sigurojë kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre, të fillojë Vlerësimin e Nevojave Pas Katastrofave (VNPK) dhe të përgatisë një kuadër të rindërtimit pas katastrofës. VNPK vlerëson dëmet dhe humbjet dhe përbën bazën për një program të plotë të rindërtimit, program që nxit barazinë dhe përfshirjen.

Ekipet e PNUD-it në terren

VNPK është një proces vlerësimi i udhëhequr nga qeveria dhe i mbështetur nga Bashkimi Europian, Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara në Shqipëri. Si pjesë e familjes së Kombeve të Bashkuara, PNUD po udhëheq punën në sektorin e infrastrukturës në komunitet, turizëm, punësim dhe kulturë, dhe po bashkëdrejton bashkë me BE-në punën në drejtim të Zvogëlimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë Natyrore dhe të Mbrojtjes Civile dhe të Mbrojtjes Sociale.

Që në momentin kur Shqipëria përjetoi një nga katastrofat më të mëdha kanë kaluar 26 ditë. Mes vdekjes dhe rrënojave, njerëzit janë ende të tronditur dhe me trauma psikologjike. Por ekziston gjithashtu edhe një valë solidariteti dhe mbështetje nga njerëzit, vendet fqinje dhe organizatat ndërkombëtare. Ka ende shpresë.

--

--

No responses yet