Programi “BE për Shkollat”: për një të nesërme më të mirë për Shqipërinë

UNDP albania
5 min readFeb 28, 2024

--

52 shkolla, kopshte dhe çerdhe të reja, në 11 bashki të prekura nga tërmeti

Nga: Nora Kushti

17 shkurt 2024: Teksa ora shkon 8 e mëngjesit, dyert e Shkollës së Mesme “Dhosi Liperi” në Sukth, Durrës, hapen duke ofruar një pamje që të ngroh zemrën.

Katër vjet më parë, aty nuk kishte gjë tjetër veç një grumbull rrënojash, kujtesë e zymtë e tërmetit shkatërrues që tronditi zemrën e Shqipërisë.

Sot, shpaloset një pamje e re. Një ndërtesë e bukur, klasa të mëdha e të mirëndriçuara e me ngrohje, fusha sportive, një palestër, laboratorë modernë, si dhe një bibliotekë, ashensorë të përshtatshëm për personat me aftësi të kufizuara, janë vetëm disa nga përmirësimet e shumta.

Një palestër e re për nxënësit e shkollës «Dhosi Liperi». Foto: UNDP Albania

Fytyrat rinore të Jonit, Ilirit dhe Dinos ndriçohen teksa hyjnë në shkollën e tyre të re. Ata kanë nisur një udhëtim, gjatë të cilit do të rriten dhe do të mësojnë.

Ka në mes tyre nga ata me aspirata të mëdha; me ëndrra për t’u bërë mjekë, ekspertë të TI-së, ose zjarrfikës, të nxitur nga dëshira për një të nesërme më të mirë.

Nxënësit e shkollës «Dhosi Liperi» tashmë kanë mundësinë të studiojnë në laboratorë të rinj dhe modern. Foto: UNDP Albania

Ky është vetëm një nga 52 objektet arsimore që tashmë qëndrojnë kryelartë e mirëpresin nxënës çdo ditë. Gjithsej 2,463 fëmijë, 12,489 nxënës dhe 1,031 mësues po gëzojnë ambientet e reja e të sapopërfunduara, njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në çdo vend të Bashkimit Evropian.

Retrospektivë:

Tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.4 që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019-të, e tronditi vendin. Nga ky tërmet, qytetet mbetën të paralizuara, ndërsa komunitetet të pashpresë.

Shifrat tronditëse me 51 jetë të humbura, mbi 900 të plagosur dhe 321 objekte arsimore të shkatërruara ose të dëmtuara, ishin një kujtesë e zymtë e sfidave që na prisnin përpara.

17 shkurti, një datë e “gdhendur” në ndërgjegjen kolektive të Shqipërisë, shënoi një pikë kthese. Në këtë ditë, një konferencë ndërkombëtare e donatorëve, e mbajtur me thirrjen e BE-së ofroi një dritë shprese në mes rrënojave. BE-ja mobilizoi komunitetin ndërkombëtar për të ndihmuar Shqipërinë. Duke premtuar një shumë prej 115 milionë euro nga buxheti i saj, BE-ja dha ndihmë të menjëhershme ndaj një kombi në nevojë. Ajo u angazhua për të restauruar, ndër të tjera, edhe sistemin arsimor të Shqipërisë përmes programit “BE për Shkollat”. Kjo ditë do t’iu kujtojë shqiptarëve Evropën dhe solidaritetin evropian.

Në partneritet me Qeverinë Shqiptare, programi “BE për Shkollat” identifikoi 63 objekte arsimore në 11 nga bashkitë më të prekura nga tërmeti, të cilat kishin nevojë të rindërtoheshin apo të riparoheshin. Përballimi i krizave të dyfishta, si ajo e tërmetit dhe e pandemisë së COVID-19 që pasoi më vonë, nuk ishte një sfidë e lehtë.

Megjithatë, programi “BE për Shkollat” vazhdoi përpara, i drejtuar nga një angazhim i palëkundur për të rikthyer shpresën dhe për t’i rikthyer fëmijët sërish në shkollë. Programi, i mbështetur në parimet e “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”, synonte jo vetëm të rindërtonte struktura më të forta, por edhe të fuqizonte komunitetet dhe të angazhonte partnerët në procesin e rindërtimit. Në përmbyllje të procesit të rindërtimit apo riparimit për çdo objekt arsimor, ekipi i projektit ka realizuar vizita monitoruese, duke u siguruar që zërat e përfituesve dhe te partnerëve të dëgjohen dhe nevojat e tyre të trajtohen. Nga nxënësit “e etur” për të rinisur mësimin tek shkollat e tyre, tek prindërit me ndjenjën e lartë për siguri dhe duke vazhduar me mësuesit e përkushtuar për “të ushqyer” mendjet e reja, programi “BE për Shkollat” pati jehonë të gjerë.

Shkolla «Dom Nikollë Kaçorri» pas transformit nga programi #BEpërShkollat. Foto: UNDP Albania

4 vjet më pas

Katër vjet më pas, plagët e tërmetit të vitit 2019-të janë duke u zbehur gradualisht, ndërsa peizazhi arsimor i Shqipërisë po pëson një transformim të thellë. Aty ku dikur gjendeshin vetëm rrënoja, tashmë qëndrojnë fortesa moderne të edukimit e mësimdhënies. Këto institucione nuk janë thjesht godina, por porta drejt një të ardhmeje më të mirë.

Shkolla «Dhosi Liperi» në Sukth para transformimit nga programi #BEpërShkollat. Foto: UNDP Albania
Shkolla «Dhosi Liperi» në Sukth pas transformimit nga programi #BEpërShkollat. Foto: UNDP Albania

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Monica Merino shprehet: “I jemi mirënjohës Bashkimit Evropian për partneritetin e palëkundur dhe mbështetjen e tij me programin “BE për Shkollat”. Sot, 52 objekte arsimore janë simbol i qëndrueshmërisë dhe rimëkëmbjes. Të fuqizuara me energji nga burime të rinovueshme, ato ofrojnë siguri dhe aksesueshmëri për të gjithë. Ky bashkëpunim transformues nxjerr në pah angazhimin tonë të përbashkët për të investuar për rininë e Shqipërisë, duke e ditur fort mirë se arsimi është gur themeli për një ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm. Ndikimi i “BE për Shkollat” e tejkalon thjesht rindërtimin e infrastrukturës, pasi mbron kauzën për një arsim cilësor”.

Sot, si dëshmitarë të transformimit, jemi mirënjohës për solidaritetin dhe mbështetjen që i dhanë një jetë të re këtyre hapësirave dikur të shkatërruara.

Nxënësja Almira Visha në shkollën e saj të re. Foto: UNDP Albania

“Shkolla e re është si një shtëpi e dytë për mua!”, nënvizon Almira Visha, një nxënëse, entuziazmi i së cilës për të mësuar u ringjall mes klasave të mobiluara rishtazi. “Ndihem e sigurt dhe e frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e mia!”

Shkolla «Asim Vokshi» në Tiranë para transformimit nga programi #BEpërShkollat. Foto: UNDP Albania
Shkolla «Asim Vokshi» në Tiranë pas transformimit nga programi #BEpërShkollat. Foto: UNDP Albania

Valentina Daci, një mësuese e TIK-ut në shkollën e mesme “Asim Vokshi” në Tiranë flet për transformimin e shkollës, tashmë e pajisur me objekte moderne të TIK-ut, klasa gjuhe, një bibliotekë, ambiente sportive dhe aksesueshmëri për nxënësit me aftësi të kufizuara.

“Mësimdhënia në laboratorin e TIK-ut është tani më e rehatshme dhe produktive, duke nxitur zhvillimin e aftësive në teknologji. Duke pasur objekte dhe burime moderne në dispozicionin tonë, mund të ushqejmë mendjet e së nesërmes me besim dhe krenari”- u shpreh ajo me sytë që i shkëlqenin nga pasioni.

Valentina Daci, mësuese e TIK-ut në shkollën e mesme “Asim Vokshi” gjatë orës së TIK-ut në ambjente tërësisht të reja dhe moderne. Foto: UNDP Albania

Përtej 52 objekteve arsimore të përfunduara deri më sot dhe përditësimeve në kohë reale të ecurisë në portalin “BE për Shkollat”, udhëtimi drejt ekselencës arsimore vazhdon.

--

--

No responses yet