Programi “BE për Shkollat”: Kur transparenca bëhet gurthemel i zhvillimit të qëndrueshëm

UNDP albania
3 min readJul 3, 2023

--

Kopshti Nr. 8, “Luledielli” në Kamëz, i ndërtuar falë programit EU4Schools.

Pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Shqipërinë në vitin 2019, mori jetë Programi “BE për Shkollat, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe me fokus kryesor ndihmë thelbësore për rimëkëmbjen e institucioneve arsimore të vendit.

Programi po punon aktualisht për rindërtimin dhe rehabilitimin e 64 objekteve arsimore, ku 43 prej tyre kanë përfunduar tashmë duke mirëpritur më shumë se 10,000 nxënës/fëmijë dhe 760 mësues, ndërsa pjesa tjetër janë në proces rindërtimi/riparimi.

Ndër risitë e shumta të programit, njëra dallon më së shumti: portali inovator i transparencës që ka revolucionarizuar qasjen e përpjekjeve të rindërtimit.

Duke ofruar informacion në kohë reale për të gjitha objektet arsimore të planifikuara për rindërtim apo riparim, kjo iniciativë e çon në një nivel të paprecedentë në Shqipëri angazhimin për transparencë të Bashkimit Evropian (BE) dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Programi “BE për Shkollat” e ka përqafuar plotësisht potencialin e portalit duke njohur fuqinë e transparencës në nxitjen e besimit dhe llogaridhënies.

Prezantimi i këtij portali shënon një ndryshim të rëndësishëm në procesin e rindërtimit pas katastrofës natyrore, duke i lejuar palët e interesuara — qytetarët, zyrtarët e qeverisë, mediat dhe partnerët ndërkombëtarë për zhvillim — të kenë akses në informacione të përditësuara mbi ecurinë e rindërtimit apo riparimit të çdo objekti arsimor. Nëpërmjet disa klikimeve, përdoruesit e portalit mund të ndjekin transformimin e infrastrukturës arsimore ndërsa njihen edhe me panoramën e plotë mbi secilin institucion arsimor.

Menaxherja e Sigurimit të Cilësisë dhe Menaxhimit të të Dhënave, Diola Sula thekson vëmendjen e jashtëzakonshme që portali i transparencës ka marrë që prej krijimit të tij. Ai ka tërhequr një numër të konsiderueshëm vizitorësh që lundrojnë në të, mesatarisht 23 klikime në çdo vizitë, fakt që reflekton një nivel të lartë interesi dhe përfshirjeje.

Një nga nënfaqet më popullore të portalit është Përditësimi i Progresit, i cili përbën 48.5% të totalit të shikimeve të faqeve. Ky seksion ofron përditësime në kohë reale mbi ecurinë e çdo objekti arsimor.

Portali shërben si një burim gjithëpërfshirës dhe ofron informacion mbi të gjitha objektet arsimore duke përfshirë detaje mbi punën e rindërtimit apo riparimit, afatet kohore për përfundimin e objekteve, financimin dhe përditësimet e progresit. Ai pasqyron njëkohësisht foto “para dhe pas” të ndërhyrjeve në objekte, të cilat nxjerrin në pah transformimin e jashtëzakonshëm që ka ndodhur në secilin objekt arsimor.

Përveç këtyre, portali ofron njohuri për përfshirjen aktive të komuniteteve lokale duke theksuar pjesëmarrjen e tyre në proceset vendimmarrëse. Ai tregon përpjekjet e përbashkëta të komuniteteve të prekura në ndërtimin e një sistemi arsimor më të fortë dhe më të qëndrueshëm.

Ky instrument inovativ dhe i nevojshëm i transparencës ka tërhequr edhe vëmendjen e selive të tjera të UNDP, të cilat operojnë në rajone që përballen me sfida të ngjashme. Frymëzuar nga suksesi i programit “BE për Shkollat”, UNDP Pakistan dhe UNDP Uzbekistan e kanë përfaquar këtë qasje inovative në përpjekjet e tyre të rindërtimit.

Ky drejtim i udhëhequr nga transparenca përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në procesin e rindërtimit pas fatkeqësive dhe qasjen e tyre ndaj publikut dhe përfituesve. Me ndarjen e njohurive dhe praktikave më të mira, programi “BE për Shkollat” ka ndezur një lëvizje drejt transparencës më të madhe dhe vendimmarrjes me pjesëmarrje. Ndikimi shtrihet përtej rindërtimit të shkollës në aspektin fizik, sepse ai fuqizon njëkohësisht komunitetet, nxit bashkëpunimin dhe ushqen një ndjenjë pronësie mbi procesin e rimëkëmbjes.

Teksa programi “BE për Shkollat” vazhdon përparimin e tij të admirueshëm në rigjallërimin e infrastrukturës arsimore, portali i tij inovativ i transparencës qëndron si një shembull i jashtëzakonshëm i potencialit transformues të hapjes dhe llogaridhënies.

Me përqafimin e kësaj qasjeje, Bashkimi Evropian dhe UNDP nuk po ndërtojnë vetëm shkolla, por po prezantojnë gjithashtu një standard të ri duke nënvizuar nevojën që transparenca të shndërrohet në gurthemelin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Në rast se jeni të interesuar për t’u njohur me një panoramë të plotë të programit “BE për Shkollat”, ju ftojmë të eksploroni Portalin e Transparencës.

--

--

No responses yet