Programi #BepërShkollat/ Ndërtojmë Shkolla: Ndërtojmë Ëndrra

UNDP albania
4 min readAug 20, 2024

--

Shkolla e re “Emin Duraku”

Në Tiranë, mes ndërtesash të vjetra e të reja, qëndron shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku” — simbol i një arsimi solid. Kjo shkollë jo vetëm që dallon nga ndërtesat përreth, por shkëlqen me muret e saj shumëngjyrëshe e të lyera rishtazi, kënde sportive, palestra dhe klasat e mirë-ndriçuara.

Kjo energji e re ka ardhur falë Programit “BE për Shkollat”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP Shqipëri, një projekt transformues i lindur nga rrënojat e tërmetit të vitit 2019-të, i cili tronditi themelet e arsimit në Shqipëri.

Këto shkolla po ndërtojnë ëndrrat e të rinjve.

Shkolla “Emin Duraku” para ndërhyrjes së programit #EU4Schools

“Para se të ndërtohej shkolla e re, na duhej të studionim me turne,” shprehet Bjorna, një nxënëse 14-vjeçare me një buzëqeshje të pafajshme. “Për ne ishte e vështirë të fokusoheshim, veçanërisht gjatë dimrit kur ishte ftohtë. Tashmë, shkolla jonë e re ka ngrohje, dhe për më tepër disponon një palestër me shumë hapësirë dhe plotësisht të pajisur, si dhe një kënd lojërash. Më pëlqen të vij në shkollë çdo ditë!”

Bjorna dhe shoqja e saj në laboratorin e ri të kimisë në shkollën “Emin Duraku”

Mësuesja e saj Lindita thotë: “Mjediset e reja arsimore e kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën e mësimdhënies. Laboratorët e avancuar na ndihmojnë të zhvillojmë eksperimente dhe mësime praktike, të cilat vetëm mund t’i ëndërronim më përpara. Pajisjet moderne jo vetëm kanë përmirësuar procesin mësimor, por njëkohësisht kanë frymëzuar edhe nxënësit për të synuar më lart.”

Mësuese Lindita në laboratorin e ri të kimisë në shkollën “Emin Duraku”

Edhe prindërit e ndjejnë ndryshimin e jashtëzakonshëm. “Mjediset e reja shkollore e kanë bërë vajzën time më të angazhuar dhe më të etur për të mësuar. Është e mahnitshme se si një shkollë bashkëkohore mund të ndikojë në arsimimin e një fëmije.” — shprehet Arbeni, një nga prindërit.

Ndërkohë që Programi “BE për Shkollat” vazhdon të jetë në titujt kryesorë, në platformat e rrjeteve sociale të UNDP Shqipëri vijnë kërkesa të panumërta: “A mund të vini të rindërtoni edhe shkollën tonë?” “A mund të sillni kompjuterë tek shkollat tona?” “Shkollat që ju keni ndërtuar kanë palestra, kënde dhe fusha sportive.” “Ato kanë sisteme ngrohje dhe ftohjeje.” “Ne të gjithë meritojmë mjedise më të mira.”

Dhe kanë të drejtë! Objektet arsimore të projektit “BE për Shkollat” qëndrojnë lart si shembulli i përkryer për mënyrën se si duhet të ndërtohen mjediset arsimore. Ato nuk janë thjesht objekte arsimore; ato janë gurthemeli i një të ardhmeje më të mirë për rininë e Shqipërisë.

Fusha e re sportive në shkollën “Ibrahim Basha”, një nga shkollat e rindërtuara/rikonstruktuara falë programit “BE për Shkollat”

Një shkollë moderne krijon një mjedis aftësues ku nxënësit mund të zhvillohen e të përparojnë. Laboratorët e avancuar të kimisë, biologjisë, fizikës, TIK-ut, arte dhe muzikës u mundësojnë nxënësve të eksplorojnë interesat e tyre dhe të zhvillojnë aftësi praktike. Hapësirat gjithëpërfshirëse si bibliotekat, sallat multifunksionale, dhomat mjekësore dhe të psikologut janë në shërbim të mirëqënies së përgjithshme të nxënësve. Njëkohësisht, fushat sportive dhe mjediset e aksesueshme sigurojnë që çdo fëmijë — pavarësisht aftësive që zotëron — të mund të marrë pjesë plotësisht në jetën shkollore.

Objektet arsimore të programit “BE për Shkollat” janë të pajisura me laboratore moderne dhe të teknologjisë më të fundit

Në këtë mjedis edukues, përveç mësimit, nxënësit rriten, ëndërrojnë dhe përgatiten për të përballuar çdo sfidë. Rrjetet e brendshme inxhinierike të nivelit më të lartë, ndriçimi eficient, sistemet e ngrohje-ftohjes me eficiencë energjitike, si dhe masat e sigurisë si mbikëqyrja me CCTV dhe sistemet e mbrojtjes kundër zjarrit krijojnë një hapësirë të sigurtë dhe të rehatshme për procesin mësimor.

Partneritetet janë rruga drejt së ardhmes

Programi “BE për Shkollat” me investimin e tij prej 75 milionë Euro, është një dëshmi e gjallë e fuqisë së bashkëpunimit. I zbatuar nga UNDP Shqipëri në partneritet me Qeverinë Shqiptare dhe qeverisjen lokale, programi ka përfunduar deri tani 57 nga 63 objektet arsimore, me fokus dy parime bazë: “Të Ndërtojmë Më Mirë” dhe “Të Ndërtojmë Së Bashku”.

Palestra e re e shkollës “Emin Duraku”

Këta parime shkojnë përtej fjalëve! Ata janë një angazhim për të krijuar shkolla më të forta, më të sigurta dhe më të qëndrueshme, të cilat mund të përballojnë sfidat e së ardhmes. Përfshirja e komunitetit në proceset e dizenjimit dhe rindërtimit garanton plotësimin e nevojave të atyre që i përdorin çdo ditë.

Teksa Shqipëria shikon drejt së ardhmes, kërkesa për arsim cilësor është e qartë. Çdo fëmijë meriton një ambient edukativ të sigurtë, modern dhe gjithëpërfshirës. Programi “BE për Shkollat” nuk po rindërton vetëm shkolla; por po rindërton shpresën duke hedhur themelet për brezat e të rinjve, të cilët janë të gatshëm të ndjekin ëndrrat ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Evropian.

Për të ndjekur progresin e programit “BE për Shkollat”, vizitoni portalin e transparencës: www.eu4schoolsportal.al

--

--

No responses yet