Qendra “Fuqizojmë Komunitetin”: Një shtëpi shprese në Lezhë
Nga: Nora Kushti
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Lezhë gumëzhin çdo ditë. Gjyshet mbajnë nipërit dhe mbesat e tyre për dore teksa i sjellin në qendër, nënat i drejtojnë fëmijët me dashuri drejt qendrës, ndërsa gra nga zona të largëta vijnë në qendër duke kërkuar shërbime jetësore për të cilat kanë nevojë kaq shumë.
Ndërsa viziton dhomat plot zhurmë, ti bëhesh dëshmitar i ndikimit të thellë të këtyre shërbimeve jetike — shërbime që të tjerët shpesh i marrin si të mirëqena, por janë shpëtim për disa të tjerë. Në sheshin e lojërave, vura re një djalë, i cili po rezistonte të shkonte tek dhoma e terapisë megjithëse ora po afronte. Ai po argëtohej aq shumë sa nuk donte të largohej prej aty. Mësova se ai është një fëmijë me spektrin e autizmit, i cili vjen në qendër tre herë në javë, i shoqëruar nga gjyshja dhe mamaja e tij. E nxitur nga çfarë dëgjova, iu afrova për të mësuar se sa qendra po i vjen në ndihmë fëmijës së tyre të dashur.
“Ai ka qenë kaq i mbyllur dhe i tërhequr,” tha gjyshja e tij, me zërin që i dridhej nga emocioni. “Ne nuk dinim si ta ndihmonim. Vuajtëm shumë për të gjetur dhe përballuar terapinë e duhur për K.,” shpjegoi nëna e tij. “Këtu, ai merr terapi të të folurit pesë herë në javë dhe ne kemi parë përparim të jashtëzakonshëm. Ai ka filluar të komunikojë më shumë dhe sjelljet e tij agresive janë pakësuar ndjeshëm. Ky vend na ka dhënë shpresë. Është një bekim për familjen tonë.”
E hapur në shkurt të vitit 2024, Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Lezhë ka mbështetur tashmë 164 gra, burra dhe fëmijë, duke ofruar një gamë të gjerë shërbimesh të specializuara. Këto shërbime trajtojnë çështje të ndryshme, nga sfidat ekonomike dhe sociale e deri te mbështetja psikologjike, duke pasur një ndikim të thellë në jetën e atyre që u vijnë në ndihmë.
Në një nga dhomat e konsultave private, takova M.K., 31-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, e cila më tregoi historinë e saj: “Pasi u divorcova nga burri im abuzues, mbeta pa asgjë. Asnjë mbështetje financiare, pa mbështetje për fëmijët. Kjo Qendër ka qenë një dhuratë nga Perëndia. Qendra na mbështet me bonuse për qiranë, pako ushqimore, veshje dhe sende higjienike. Vajzat e mia ndjekin Programin Pas-Shkollor këtu dhe i shoh teksa përmirësohen çdo ditë. Ata janë më të lumtura, më të angazhuara dhe kjo më jep paqe mendore duke e ditur se janë në duar të sigurta.”
Qendra ofron një strehë të sigurt për gratë si M.K., duke u ofruar atyre jo vetëm mbështetje emocionale, por edhe ndihmë praktike, si këshillim ligjor dhe mbështetje për strehim, për t’i ndihmuar ato të rifitojnë pavarësinë dhe dinjitetin e tyre.
Shërbimet psikologjike shtrihen përtej viktimave të dhunës në familje. Në një dhomë të ndriçuar të mbushur me vizatime shumëngjyrëshe, takova psikologen e Qendrës.
“Shumë njerëz këtu janë përballur me trauma të mëdha,” shpjegoi ajo. “Qëllimi ynë është t’u ofrojmë atyre një hapësirë të sigurt për t’u shëruar dhe ringritur. Ne ofrojmë sesione terapie individuale dhe në grup, dhe trajtojmë çështje si depresioni, ankthi dhe traumat.”
L.V., një grua 39-vjeç, që merr mbështetje psikologjike, tregoi përvojën e saj: “Humbja e djalit dhe përballja me burrin e alkoolizuar më çoi në një vend të errët. Ardhja këtu ishte hapi i parë drejt shërimit. Mbështetja psikologjike ka qenë e paçmuar. Po mësoj të përballoj pikëllimin tim me dinjitet dhe të rindërtoj jetën time. Stafi këtu është si një familje për mua.”
Qendra ofron gjithashtu shërbime të specializuara në qendër, por dhe shërbime lëvizëse, si p.sh. fizioterapi dhe logopedi, për personat me aftësi të kufizuara. Këto shërbime janë thelbësore për familjet që nuk mund të përballojnë transportin nga zona të largëta ose të marrin këto shërbime në një vend tjetër.
Programet pas-shkollore për fëmijë janë një tjetër gur themeli i shërbimeve të Qendrës. Në një dhomë që gumëzhin, fëmijët angazhohen në aktivitete të ndryshme edukative dhe rekreative. Të qeshurat dhe diskutimet mbushin sallën, një dëshmi e mjedisit të sigurt dhe edukues të krijuar këtu.
Aty fola me Ledian, fëmijët e së cilës ndjekin programin pas-shkollor. “Kjo qendër ka qenë një mbështetje e madhe për fëmijët e mi. Këtu ata marrin ndihmë si të bëjnë detyrat e shtëpisë, marrin pjesë në aktivitete argëtuese dhe kanë bërë miq të rinj. Është një vend ku ata ndihen të vlerësuar dhe të mbështetur.”
Për adoleshentët dhe të rinjtë, Qendra organizon aktivitete që synojnë zhvillimin personal dhe integrimin social. Në një takim të klubit të të rinjve, takova Erionin, një 17-vjeçar i cili ishte përballur me sfida të shumta, përfshirë përjashtimin social.
“Para se të vija këtu, ndihesha i humbur dhe i pashpresë” pranon Erioni. “Aktivitetet dhe seminaret më kanë dhënë një udhëzim dhe qëllim. Unë këtu kam mësuar aftësi të reja, kam bërë miq të rinj dhe kam fituar besimin që të ndjek ëndrrat e mia.”
Përtej shërbimeve të drejtpërdrejta, Qendra është e angazhuar në mënyrë aktive edhe në iniciativa për rritjen e ndërgjegjësimit dhe advokimin për të adresuar çështjet e komunitetit, duke përfshirë dhunën me bazë gjinore. Nëpërmjet seminareve, fushatave dhe aktiviteteve në komunitet, Qendra synon të nxisë një kulturë ndërgjegjësimi dhe ndryshimi.
Në një aktivitet së fundmi me komunitetin, fola me Jonidën, një avokate që punon me Qendrën. “Ndryshimi i sjelljeve shoqërore është një proces i ngadaltë, por është thelbësor për ndryshim të qëndrueshëm,” theksoi ajo. “Përmes përpjekjeve tona, ne nuk po mbështesim vetëm individët, por gjithashtu po krijojmë një komunitet më gjithëpërfshirës dhe më të ndjeshëm.”
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Lezhë është një histori e fuqisë transformuese të shërbimeve të integruara sociale. E krijuar në kuadër të programit “Fuqizojmë Komunitetin”, financuar nga USAID dhe zbatuar nga UNDP në partneritet me Bashkinë Lezhë dhe organizatën “Të Ndryshëm & Të Barabartë”, Qendra qëndron si një shtëpi shprese dhe mbështetjeje për ata që kanë nevojë.
Ndërsa u largova nga Qendra, ndikimi i saj në jetët e burrave, grave, të rinjve dhe fëmijëve ishte i pamohueshëm. Qendra për ata mbetet një vend ku ushqehet fuqizimi i individit, rikthehet shpresa dhe rindërtohen jetë.