ReLOaD: Shoqëri civile — qeverisje vendore — partneritete në dobi të komunitetit

Nëse doni të mësoni se si ReLOaD ka ndihmuar në krijimin e partneriteteve të forta e të qëndrueshme ndërmjet qeverisjes vendore dhe shoqërisë civile, pyesni Stelën!

Stela Mardusha punon si specialiste në Departamentin e Integrimit Evropian në Bashkinë e Shkodrës, e cila është bashkia e parë e angazhuar me programin ReLOaD.

Bashkia e Shkodrës ka një partneritet afatgjatë me organizatat e shoqërisë civile. Kur në vitin 2017, ReLOaD, prezantoi një thirrje për bashkitë që të aplikonin për t’u bërë pjesë e programit, Bashkia e Shkodrës e cilësoi këtë si një mundësi brilante dhe iu përgjigj thirrjes.

Unifikimi i proceseve të punës

Shkodra, së bashku me Tiranën, Durrësin, Lezhën, Dibrën, Tropojën, Përmetin, Roskovecin, Librazhdin, Elbasanin, Prrenjasin dhe Korçën, ishin bashkitë e para që ju bashkuan programit ReLOaD në vitin 2017 dhe patën një angazhim të fortë në zbatimin e metodologjisë LOD — një instrument i harmonizuar ngushtësisht me rregullat e BE-së për financimin e programeve te jashtme, për garantimin e një procedure të hapur qe garanton mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët, të vizibilitetit dhe të transparencës.

“Ka një ngarkesë pune të konsiderueshme por në fund ja vlen sepse ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të punuar ngushtësisht me shoqërinë civile. Proceset e mëparshme të prokurimit publik ishin të ngurta ndërsa metodologjia LOD bëri të mundur që bashkitë dhe organizatat e shoqerise civile të përdornin instrumenta më të mira punë të orientuara drejt cilësisë së produktit.

Falë metodologjisë LOD, bashkia jonë krijoi një bashkëpunim të frytshëm me Organizata të Shoqërisë Civile, duke filluar nga seanca e parë dëgjimore e organizuar për caktimin e prioriteteve, e deri në fazën e zbatimit. ReLOaD është më tepër se një projekt apo një program. Ai është një proces pune. Nga ai përfituam një instrument konkret që ravijëzon të gjithë mekanizmin dhe rregullon marrëdhëniet e bashkisë me organizatat e shoqërisë civile.” — thotë Stela.

Gjatë tre viteve të para të programit, ReLOaD financoi shtatë organizata jofitimprurëse. Më tepër se 5000 qytetarë të Shkodrës u bene pjese e iniciativave që nxisnin përfshirjen sociale, fuqizimin e grave, turizmin, kulturën dhe rininë.

“Reduktimi i varfërisë së grave, domosdoshmëri për barazinë gjithëpërfshirëse” dhe “Miqtë e rinj të Taraboshit” janë dy nga projektet më të suksesshme të mbështetura nga ReLOaD në vitin 2017. Edhe sot, Kryqi i Kuq në Shkodër dhe shoqata “The door”, vijojnë të punojnë me komunitetin vendas.

Kur u pyet se si u prit fillimisht metodologjia LOD nga ajo dhe kolegët e saj, Stela u shpreh — “Për të qenë e sinqertë, e nisëm me pak hezitim, si çdo gjë tere, por me kalimin e kohës u angazhuam plotësisht dhe ja ku jemi sot, në vitin e pestë, duke organizuar thirrjen e pestë publike, e cila është financuar plotësisht nga bashkia, ashtu si dhe thirrja e katërt”.

Që nga miratimi i metodologjisë LOD nga Këshilli Bashkiak në vitin 2017, çdo vit, Bashkia e Shkodrës menaxhon fondet publike dhe organizon thirrje për organizatat e shoqërisë civile, në kuadër të këtij instrumenti, duke “unifikuar metodologjinë e punës me standardet e Bashkimit Evropian”, siç konstaton Stela.

Fuqizimi i burimeve njerëzore për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve

Fuqizimi i kapacitetit të stafit të bashkive partnere dhe OShC-ve, në fushën e ciklit të menaxhimit të projektit, është një nga shtyllat kryesore të programit ReLOaD. Gjatë fazës së parë, më tepër se 100 profesionistë morën njohuri teknike mbi hartimin e raporteve dhe buxheteve, si dhe mbi zbatimin dhe monitorimin e projektit sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Krahas kontaktit të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile, këto trajnime e kanë ndihmuar Stelën që të krijojë një praktikë pune shumë të mirë.

Bashkitë e Shkodrës dhe Tiranës, të cilat u përshtatën më shpejt dhe zbatuan me sukses metodologjinë LOD, shërbejnë si mentore për bashkitë e reja partnere.

Stela shprehet se ka mësuar shumë nga ky rrugëtim i suksesshëm dhe se tashmë është gati të ndajë njohuritë e saj me kolegët në bashkitë e tjera partnere, të cilat iu bashkuan ReLOaD në vitin 2021.

“Pas 5 viteve përvojë, i bëj thirrje kolegëve të mi që të përfitojnë sa më shumë të jetë e mundur nga mundësia që ofron ReLOaD. Është një përvojë e jashtëzakonshme mësimore për administratën, është një kurs afatgjatë ku ata që përfitojnë janë administratat vendore, organizatat e shoqërisë civile dhe shoqëria. Gjithashtu, do t’u sugjeroja bashkive që të mbajnë kontakte të rregullta me organizatat e shoqërisë civile dhe të kerkojne vazhdimisht opinionet e tyre qofshin ata pozitive apo negative. Ta bejne bëjnë kete pjesë të punës së tyre.”

Metodologjia LOD si një praktikë pune përtej projektit

Bashkia e Shkodrës e zbatoi për herë të parë metodologjinë LOD në fushën e sportit.

Përmes ndryshimeve të bëra në ligjin “Për sportin”, Bashkia pati mundësinë të organizonte klubet sportive si subjekte biznesi ose përmes partneriteteve me organizatat e shoqërisë civile. Shkodra zgjodhi opsionin e dytë dhe i gjithë procesi për ofrimin e mbështetjes financiare u menaxhua duke zbatuar metodologjinë LOD.

Përmes paketës së miratuar nga Këshilli Bashkiak, u mbështetën 350 sportistë të “Sport Klub Vllaznia”, të ndarë në 15 disiplina sportive dhe 21 ekipe, duke përfshirë lojërat me dorë, sportet individuale dhe futbollin e femrave. Kjo ishte një metodë novatore në menaxhimin e disiplinave sportive në Shqipëri, por falë suksesit të saj, po zbatohet tashmë edhe nga bashki të tjera.

“Jam shumë e lumtur që ishim bashkia e parë që zbatuam metodologjinë në fushën e sportit dhe që ky shembull po praktikohet tashmë edhe në bashkitë e tjera.” — shprehet Stela.

Programi Rajonal për Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD2) financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga UNDP.

--

--

Love podcasts or audiobooks? Learn on the go with our new app.

Get the Medium app

A button that says 'Download on the App Store', and if clicked it will lead you to the iOS App store
A button that says 'Get it on, Google Play', and if clicked it will lead you to the Google Play store