Shërbime të lëvizshme për kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale në zonat më të thella rurale

UNDP albania
6 min readOct 15, 2020

Adelina jeton në fshatin Jollë të Njësisë Administrative Velcan, një ndër fshatrat më të thellë dhe të varfër të Pogradecit, të cilin edhe makinat stërmundohen për ta arritur. Gjatë viteve të fundit në fshat kanë mbetur vetëm rreth 10 familje që i japin atij fashati te vogel ende jetë. Ndërkohë, infrastruktura e dobët e cila e ndan fshatin nga pjesa tjetër e vendit po jua vështirëson jetën atyre pak banorëve të cilët ende nuk e kanë braktisur.

Në mungesë të rrugës automobilistike, për të lëvizur nga shtëpia e saj deri në rrugën e fshatit me makinë Adelines i duhen rreth tre orë, ndërsa fshati më i afërt me një qendër funksionale ku ofrohen shërbime shëndetësore është diku tek pesë orë larg.

Adelina, 47 vjec, është nëna e dy fëmijëve. Bashkë me bashkëshortin, ata jetojnë në kushte varfërie, pjesërisht edhe për shkak të ‘ndarjes’ nga pjesa tjetër e botës. Varfëria që i ka kapluar ka lënë ndër vite pasoja negative në shëndetin e saj dhe në zhvillimin e fëmijëve. Në dijenin e saj, vuan nga gjëndrat tiroide dhe tensioni i lartë i gjakut, por dita ditës merakoset se sëmundje të tjera mund t’a kërcënojnë fshehurazi, ndërkohë që mendja i rri gjithe kohes tek fëmijët dhe mirëqënia e tyre.

“Herën e fundit që shkova për vizitë mjekësore, më shumë se gjysmën e ditës ma mori rruga deri tek qendra shëndetësore. Imagjino të kesh një hall urgjent. Kjo frikë na e vështirëson jetën cdo ditë e më shumë,” rrëfen Adelina…

***

Në Laktesh, një tjetër fshat gati i braktisur i Velcanit, banon Gani Sari. Ai jeton në kushte të vështira ekonomike me gruan dhe djalin e tij dhe me shume probleme shendetesore. Sikur këto probleme të mos mjaftonin, shtëpia e Ganit është e vjetër, e amortizuar dhe me mungesë uji që e detyron atë të shkojë çdo ditë në anën tjetër të fshatit për t’u furnizuar me ujë tek një familje tjetër.

Ganiu vuan prej vitesh nga obeziteti, diabeti dhe tensioni i lartë i gjakut. Gjithashtu, ai ka vështirësi në ecje. Vetëm pasi u këshillua për dietën që duhet të mbajë për shkak të diabetit ai filloi të kujdeset për peshën e nisi të lëvizte pak më shumë.

Ashtu si fshati Jollë, fshati Laktesh nuk ka qendër shëndetësore. Për më tepër, ndihma e vetme që përfiton familja nuk e kalon vlerën e 6,000 Lekë në muaj, pagesë që i jepet Ganiut për gjëndjen e tij shëndetësore por që në fakt mbulon shumë shpenzime të tjera para se të arrij t’i përgjigjet nevojave të shëndetit të tij.

Si po ndihmohen komunitetet që nuk i marin dot vetë shërbimet shëndetësore?

Për t’i dhënë prioritetin që i takon këtij problemi i cili i shkakton pasiguri dita ditës Adelinës, Ganiut, e personave të tjerë të komuniteteve në zonat më të thella malore të Pogradecit, po pilotohet një model i ofrimit të kujdesit shëndetësor dhe social në lëvizje. Kjo po mundesohet nga PNUD, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Përmirësimi i Ofrimit të Shërbimeve Lokale të Mbrojtjes Sociale,” i cili po zbatohet nga PNUD, UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri dhe UN Women.Programi financohet nga Fondi Global i Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm në partneritet me fondacionin ‘Diakonia’ dhe Bashkinë Pogradec.

Në total, 210 persona po përfitojnë nga këto shërbime shëndetësore, një e drejtë themelore e cila u kishte munguar.

Ky model ka për synim të rrisë aksesin në shërbime shëndetësore dhe të kujdesit social në kushtet e pandemisë së COVID19 për të gjithë familjet në nevojë në këto zona të izoluara prej mungesës së infrastrukturës dhe shërbimeve të rregullta shëndetësore, si dhe të përmirësojë treguesit shëndetësor në nivel bashkie.

Pritet që 1200 individë në 6 bashki të përmirësojnë treguesit e tyre të mirëqenies sociale dhe shëndetësore

Për Adelinën, këto shërbime shëndetësore lëvizëse jo vetem ndihmojne atë të përmiresojë gjëndjen e saj të rënduar ekzistuese, por gjatë kontrollit shëndetësor dhe vizitës në familje nga infermieri dhe grupi i ndërhyrjes, u konstatua se përvec problemeve shëndetësore të cilat tashmë i dinte, Adelina gjithashtu vuante nga diabeti. Niveli i glicerinës në gjakun e saj ishte 160 — parametër që kërkonte ndërhyrje urgjente.

Mes ndërhyrjes së mundësuar nga ndihma që kujdesi shëndetësor në lëvizje po ofron, Adelina u dërgua në spitalin e Pogradecit për ndërhyrje të specializuar, si dhe po përfiton kontroll dhe vizita shëndetësore familjare, përvec identifikimit fillestar të diabetit dhe informimit mbi përkujdesjen që i duhet të tregojë në kohën e COVID-19 për të ruajtur shëndetin e saj. Po ashtu, falë ndërhyrjes së projektit, Ganiut po i mundesohen dhe vizita të rregullta mjekesore ku përfshihen matjet e tensionit dhe diabetit, fishat e diabetit, këshillim mbi kujdesin ndaj COVID-19 si dhe mbi dietën e përshtatshme ushqimore. Përvec shëndetit të përmirësuar dukshëm, Ganiut gjithashtu i rritet morali sa herë pret njerëz që vijnë të kujdesen për të dhe familjarët e tij.

Në total, 210 persona po përfitojnë nga këto shërbime shëndetësore, një e drejtë themelore e cila u kishte munguar.

Falë kësaj ndërhyrje parashikohet që të paktën 60 punonjës bashkie të përmirësojnë aftësitë e tyre në ofrimin e shërbimeve të mbrojtjes sociale

PNUD, në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, krijoi skemën e granteve të vogla, e cila mundësoi financimin e projekteve inovatore që kontribuojnë në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në përgjigje të COVID-19, të zbatuara nga Organizata të Shoqërisë Civile në bashkitë Tiranë, Kamëz, Pukë, Pogradec, Devoll dhe Rrogozhinë.

U hartua udhezuesi i thirrjes duke nxitur krijimin e shërbimeve sociale inovatore dhe me potencial që të përsëriten ose të përmirësohen brenda territorit të bashkisë përfituese edhe gjatë periudhës së distancimit social. Risia në këto modele të ndërhyrjes perfshin procesin e futjes së metodave të punës ose ideve të reja në një territor, si shërbimet dixhitale, telefonike, shërbimet e levizshme etj.

Në të ardhmen afat-gjatë, falë kësaj ndërhyrje parashikohet që të paktën 60 punonjës bashkie të përmirësojnë aftësitë e tyre në ofrimin e shërbimeve të mbrojtjes sociale dhe 1200 individë në 6 bashki të përmirësojnë treguesit e tyre të mirëqenies sociale dhe shëndetësore.

“Përmirësimi i shëndetit për njerëzit në nevojë, sic janë komunitetet që jetojnë në zona rurale, kërkon të shkojmë përtej sektorit të shëndetësisë dhe të veprojmë në fusha të ndërlidhura sic është mbrojtja sociale, arsimi, nutricioni i duhur, uji dhe higjena. Ne do të vazhdojmë përpjekjet për të arrirë grupet më vulnerabël, për të krijuar partneritete më efektive midis qeverisë, shoqërisë civile dhe sektorit privat, dhe për të hartuar programe të integruara dhe gjithëpërfshirëse të mbrojtjes sociale dhe shëndetësisë,” shprehet Limya Eltayeb, Përfaqësuese e Përhershme e PNUD.

Për PNUD, është e rëndësishme që asnjë pengesë e tejkalueshme — ku parësorja është vendodhja fizike e komuniteteve në nevojë — të mos bëhet shkak që qytetarëve t’ju mungojnë të drejtat e tyre themelore.

Falë shërbimeve të lëvizshme të kujdesit shëndetësor, ndihma po arrin në zonat më të thella rurale

--

--