Transformimi frymëzues i Olës në Qendrën Fuqizojmë Komunitetin në Durrës
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Durrës gjallëron çdo ditë me zërat dhe energjinë e fëmijëve që marrin pjesë në programet e saj. Mes tyre është edhe Kreola, një vajzë në klasën e 7-të, e cila jeton me nënën dhe vëllain e saj të vogël. Ola, — siç e thërrasin të gjithë në Qendër, — është përballur me humbjen e madhe të babait të saj, një ushtarak që shërbeu në misione të ndryshme në Afganistan, Gjermani dhe Itali. Babai i saj, një hero për të dhe familjen, humbi jetën në krye të detyrës nga një infarkt kardiak në repartin ushtarak të Zall Herrit.
Kjo humbje e rëndë ndryshoi gjithçka për Olën dhe familjen e saj. Nga një vajzë aktive që pëlqente pikturën dhe futbollin, ajo u tërhoq nga jeta sociale dhe u përball me traumën e humbjes së babait. Nëna e saj ishte e dëshpëruar dhe kërkonte mënyra për të ndihmuar fëmijët e saj të kalonin këtë periudhë sfiduese.
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin“ Durrës sapo kishte nisur punën kur mori referimin nga psikologia e shkollës, për të adresuar nevojat e Olës dhe vëllait të saj për mbështetje.
Regjistrimi i Olës në programin pas-shkollor të Qendrës në shtator të vitit 2023 ishte një hap i rëndësishëm për të, jo vetëm në zhvillimin akademik, por edhe që të rigjente gëzimin dhe entuziazmin për jetën si çdo bashkëmoshatar. Në fillim, Ola ishte shumë e mbyllur dhe nuk dëshironte të ndante asgjë me shokët dhe shoqet, as me terapisten. Ajo ishte aq e ndjeshme dhe emocionale sa fillonte të qante nga çdo bisedë rreth vetes.
“Ekipi multidisiplinar i Qendrës u mblodh për të vlerësuar nevojat dhe për të ofruar mbështetjen e nevojshme për Olën dhe vëllain e saj”- thotë drejtoresha e qendrës. Kjo është praktika që ndiqet në të gjitha rastet që marrin shërbime përfituesit e Qendrës.
“Falë mbështetjes së specializuar të psikologëve dhe mësuesve, Ola filloi të bëjë përparime. Programi akademik u integrua me aktivitetet psiko-sociale sipas nevojave të saj, si dhe u mbështet me seanca këshillimi psikologjik. Vëllai i saj, që kishte probleme zhvillimi psiko-motor, u fut në terapinë e zhvillimit. Nëna e tyre u bë pjesë e programeve të aftësimit për jetën dhe prindërimin pozitiv, për të përballuar humbjen e bashkëshortit dhe për të mësuar mekanizma të mirë-rritjes së fëmijëve” — thote menaxherja e rasteve në Qendër.
Pas një rrugëtimi intensiv në programin pas-shkollor, Ola filloi të dallohej për sjelljen e saj pozitive dhe dëshirën për të ndihmuar shokët dhe shoqet që kishin nevojë. Një dritë shprese u ndez për të rikthyer aktivitetet dhe interesat që dikur e bënin të ndihej e lumtur.
Gjatë angazhimit në programet e Qendrës, Ola rigjeti pasionin për pikturën. Punët e saj u vlerësuan si ndër më të mirat në program. Ajo merr pjesë në aktivitetet rekreative dhe ndihmon me përgatitjen e materialeve, pikturave apo punë dore.
“Ola shkon më shumë dëshirë në Qendër. Ajo nuk mungon asnjë ditë të vetme tregues i ngrohtësisë që ka gjetur në qendër dhe për aktivitetet që zhvillohen aty” — thote nëna e Olës.
Një nga nismat që Ola ka më për zemër është përfshirja në aktivitetet mbi ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit. Në Ditën e Tokës, së bashku me fëmijët e tjerë, mbolli lule dhe punoi me materiale të riciklueshme. Ndërsa në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, përmes pikturës, ajo shprehu se si do të ishte mjedisi nëse do të kujdeseshim më shumë për të.
Ola mori pjesë edhe në Kampin Veror “Dorë për dore”, ku bashkë me fëmijët e tjerë ricikloi goma dhe i ktheu në vazo të mëdha me lule të mbjella vetë, të zbukuruara me gurët e bregut të detit në Durrës, të pikturuara nga të gjithë fëmijët si mollakuqe të vogla.
Pavarësisht sfidave me të cilat është përballur, Ola ka marrë përgjegjësi të mëdha për moshën.
Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, Ola ishte pjesë e një takimi në Këshillin Bashkiak të Durrësit, ku Kryetarja e Bashkisë mikpriti fëmijët e Qendrës “Fuqizojmë Komunitetin”. Ola dhe fëmijët e tjerë ndanë vizionin e tyre për një komunitet më miqësor ndaj fëmijëve dhe diskutuan mënyrat për të mbrojtur të drejtat e tyre. E ulur në vendin e këshilltarëve bashkiakë, Ola u ngrit të fliste në zërin e të gjithë fëmijëve duke dhënë mesazhin “Për të mbrojtur planetin tonë për brezat e ardhshëm, ne rekomandojmë përfshirjen e edukimit mjedisor në kurrikulën tonë shkollore. Mbështetja e aktiviteteve si mbjellja e pemëve, pastrimi i komunitetit dhe aktivitete edukative mbi praktikat e qëndrueshme mund të kultivojnë një përkushtim të përbashkët ndaj përgjegjësisë mjedisore mes banorëve të të gjitha moshave.”
Një vit pas regjistrimit të saj në Qendër, tashmë Ola jo vetëm angazhohet në programe si përfituese, me të gjithë energjinë dhe emocionin e një fëmije, por edhe për të ndihmuar fëmijët e tjerë të cilët kanë vështirësi të socializohen. Për gjithë këtë mbështetje ajo mori dhe një certifikatë nderi. Ola u tha “Unë dua të bëhem një mbështetëse për bashkëmoshatarët e tjerë që kanë nevojë.”
Që nga krijimi i saj në Qendër kanë marrë shërbime 198 fëmijë si Ola. Fëmijët aty kanë gjetur mbështetje, dashuri dhe profesionalizëm.
Qendra Fuqizojme Komunitetin në Durrës është një nga 3 qendrat e ngritura përmes programit «Fuqizojmë Komunitetin -ICR».
Programi ICR synon të adresojë përmes një qasje multidisiplinare nxitësit e përjashtimit, margjinalizimit, diskriminimit dhe dhunës ndaj grave, vajzave, djemve dhe burrave në nevojë në nivel vendor. Programi ICR financohet nga USAID Shipëri, zbatohet nga UNDP Shqipëri në partneritet me bashkitë Durrës, Kurbin dhe Lezhë. Në nivel kombëtar, progami ICR bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale. Tre Qendrat ‘’Fuqizojmë Komunitetin’’ në të tre bashkitë janë ngritur si pjesë e programit ICR në bashkëpunim me tre OJF me përvojë (World Vision Albania, Të ndryshëm dhe të barabartë dhe Qendra Komunitare “Sot për të Ardhmen”) me fokus garantimin e shërbimeve të integruara sociale për individët në nevojë. Qendrat ofrojnë shërbime të mbështetjes psikosociale, terapi të të folurit, fizioterapi, programe passhkollore, progame rehabilitimi dhe riintegrimi për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës në familje dhe programe mentorimi për punësim. Përveç kësaj, Qendrat shërbejnë si vend fuqizimi profesional, koordinimimi dhe referimi mes profesionistëve në nivel vendor.