UNDP dhe Qeveria Suedeze bashkojnë forcat për të luftuar dhunën në familje gjatë pandemisë COVID-19
“Qëndroni në shtëpi për veten tuaj, për familjen tuaj, komunitetin dhe personelin shëndetësor,” na u tha me të drejtë. Kjo është jetike për ta ndaluar përhapjen e pandemisë dhe, për shumicën prej nesh, nuk ka qenë kurrë më e lehtë për të bërë atë që na takon për të ndihmuar.
E megjithatë, për shumë të tjerë, shtëpia nuk ofron një strehë larg dhunës dhe abuzimit.
Në mes të kësaj pandemie, ndoshta gabimisht keni menduar se rreziku shëndetësor si pasojë e Coronavirusit është “gogoli” i vetëm në dhomë. Ky izolim, i cili vijon prej pesë javësh tashmë në Shqipëri, po krijon terrenin e përshtatshëm që dhuna me bazë gjinore (DhBGj) dhe pabarazitë gjinore të shfaqen në nivelet e tyre më të larta. Përveçse është një krizë shëndetësore dhe social-ekonomike, shpërthimi i pandemisë COVID-19 duket se po shkakton një barrë shumë të rëndë te gratë e margjinalizuara.
Sipas studimit më të fundit nga INSTAT mbështetur nga Qeveria Suedeze, Qeveria Australiane, UNDP dhe UN Women, dhuna nga partneri intim, dhuna fizike ose seksuale, dhuna psikologjike ose përndjekja nga një partner aktual ose i mëparshëm ndikojnë tek shumë shqiptarë gjatë vitit. Ndër gjetje të tjera, studimi tregon se një në dy (52,9%) gra shqiptare kanë përjetuar një ose më shumë forma të dhunës së lartpërmendur gjatë jetës së tyre. Thuajse gjysma e grave të anketuara kanë përjetuar dhunë në familje (DhF) nga partneri intim, duke rikonfirmuar kështu se dhuna ndaj grave (DhNG) dhe vajzave në Shqipëri mbetet një fenomen i përhapur gjerësisht.
Për muajin Mars, Policia e Shtetit raportoi 245 raste të dhunës në familje, prej të cilave 89 u ndoqën penalisht — 33 dhunues u arrestuan dhe u lëshuan 141 urdhra mbrojtjeje.
Prirja në rënie krahasuar me muajin Shkurt 2020, kur u regjistruan 321 raste të dhunës në familje, është një fakt i cili tregon se raportimi mund të ketë një tendencë më të ulët sepse shumë gra detyrohen të qëndrojnë në vetizolim me autorët e dhunës për shkak të faktorëve të ndryshëm socialë, kulturorë, ekonomikë dhe psikologjikë.
“Dhuna në familje që gratë dhe vajzat përjetojnë gjatë gjendjes së emergjencës mund të rezultojë në dëme të thella fizike dhe psiko-sociale. Tendencat e DhBGj-së të identifikuara më parë në vend, tregojnë se gjatë shpërthimit të pandemisë COVID-19 incidentet e dhunës në familje, edhe pse të paraportuara, po rriten pa u ndjerë për shkak të vendosjes së kufizimeve në lëvizje. Megjithatë, në të njëjtën kohë, kur shumë gra dhe vajza kanë nevojë për shërbime të specializuara më tepër se kurrë, praktika po tregon se shërbimet që ofrohen nga Mekanizmat e Koordinuar të Referimit (MKR-të) në nivel bashkie kanë gjasa të ulen për shkak se burimet po kanalizohen drejt përballjes me krizën shëndetësore të momentit”, thotë Marsela Allmuca, aktiviste për të drejtat e grave.
Thirrje për ndihmë
Remzia, një prej viktimave të dhunes me baze gjinore e cila na kontaktoi përmes Facebook-ut, solli në vëmendje historinë e saj të dhimbshme.
“Ndjehem shumë e izoluar, sidomos gjatë kësaj situate të re. Nuk kam një strehë. Bashkë me fëmijët po flemë në dyqanin ku unë punoj si rrobaqepëse. Dyqani është mbyllur për shkak të virusit. Të paktën jam e lumtur që pronarët më lejuan të fle aty. Nuk mund të kthehem në shtëpinë time sepse bashkëshorti është bërë më i dhunshëm se zakonisht. Nuk kalon një ditë që ai nuk na rreh mua dhe fëmijët. Prandaj ika.”
Edhe gra të tjera na kanë kontaktuar përmes platformave tona në mediat sociale me “thirrje për ndihmë”. Mungesa e punës, parave, sigurisë, mbrojtjes apo edhe e lirisë për të dalë jashtë, përmenden si arsyet kryesore që nxisin incidentet e dhunës në familje.
“Vetëm unë po punoj për momentin, pasi unë jam e punësuar në një supermarket dhe lokali ku punonte bashkëshorti im është mbyllur një zot e di për sa kohë. Kur kthehem në shtëpi e gjej të acaruar, duke ulëritur, ndonjëherë bëhet dhe i dhunshëm. Nuk kam aq merak për veten sa kam për fëmijët e mi, të cilët i lë gjithë ditën vetëm me të tani që ata nuk shkojnë në shkollë, por cfare zgjidhje tjetër kam?” Anila, një tjetër grua nga Tirana, na tha.
Shumica e grave kërkojnë të ruajnë anonimitetin edhe kur kërkojnë ndihmë.
“Fëmijët e mi janë aty, ndonjëherë edhe nëna ime, por askush prej nesh nuk e ndalon dot tim shoq që ta shkarkojë zemërimin e tij tek ne. Java e parë e karantinës ishte disi më mirë. Të gjithë ishim optimistë se gjërat do të ktheheshin në normalitet shumë shpejt. Por me kalimin e ditëve, fundi i kësaj situate nuk po shihet dhe luhatjet e humorit të bashkëshortit tim sa vijnë dhe përkeqësohen. Nuk kam ku të shkoj — mundem vetëm të kërkoj ndihmë,” rrëfeu një grua tjetër në mesazhin dërguar në platformat sociale të UNDP-së.
Adresimi në nivel vendor
Këto histori vijnë nga gra që jetojnë në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë. Është shqetësuese nëse mendojmë për një moment se çfarë ndodh në zonat e thella rurale.
Duke qenë në dijeni të shkallës së rrezikut me të cilën përballen viktimat e DhBGj-së dhe DhF-së pasi janë të detyruara të jetojnë me abuzuesit e tyre, UNDP ngriti alarmin dhe u bëri thirrje partnerëve në nivel vendor që gjatë adresimit të emergjencave lidhur me COVID-19, të mendojnë për nevojat e veçanta të grave dhe vajzave.
Me mbështetjen e UNDP-së, 15 bashki po ndërmarrin veprime të shpejta në nivel vendor për përdorimin sa më të mirë të shërbimeve të specializuara mbështetëse që ofrohen nga aktorët në publik dhe jopublik për viktimat e DhF-së dhe DhBGj-së gjatë situatës së emergjencës. Në zemër të këtyre përpjekjeve janë ndërgjegjësimi dhe informimi. Bashkitë po përdorin platformat e tyre të mediave sociale për të shpërndarë fletëpalosje të cilat ofrojnë mjetet ligjore që duhen përdorur në rast dhune në familje si edhe japin numrat telefonik falas të emergjencës në nivel vendor dhe kombëtar në raste dhune.
Me qëllim maksimizimin e informimit të publikut dhe përkrahjen e një shoqëri pa dhunë, bashkitë prezantuan konkurse online ku u kërkojnë personave të interesuar që përmes artit të përcjellin mesazhe kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Të drejtat e njeriut në “zemër” të reagimit
Për të garantuar se të drejtat e njeriut janë në qendër të përgjigjes ndaj DhBGj-së dhe DhF-së, UNDP u dha rekomandime Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë të Përgjithshme të Policisë së Shtetit lidhur me një sërë çështjesh për përgjigjen në situatë emergjence ndaj viktimave të dhunës seksuale dhe dhunës në familje. Të gjitha rekomandimet u mirëpritën nga të dyja ministritë. Në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nxori një udhëzim të veçantë për të gjitha strukturat vendore të policisë mbi mënyrën se si t’i kushtojnë vëmendje të veçantë rasteve të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në komunitetet e tyre dhe se si të ndërmarrin veprimet e duhura në bashkëpunim me koordinatorët vendorë të dhunës në familje në çdo bashki.
Në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, UNDP po mbështet Mekanizmat e Koordinuar të Referimit (MKR-të) që të zhvillojnë një protokoll i cili standardizon veprimet që duhet të ndërmerren nga anëtarët e MKR-ve shumësektoriale gjatë trajtimit të rasteve urgjente në situatën e shkaktuar nga COVID-19.
Qendra “LILIUM”, qendra e vetme që ofron të gjitha shërbimet për menaxhimin e integruar shumësektorial të krizave në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale, e mbështetur nga UNDP, po harton një udhëzues të brendshëm të përshtatur me procedurat e nevojshme për të trajtuar siç duhet rastet e dhunës seksuale në kontekstin e COVID-19. Gjithashtu, përmes platformave të mediave sociale po ofrohen materiale informuese mbi dhunën seksuale, pasojat e saj dhe mënyrën e raportimit të kësaj dhune. Viktimat e dhunës seksuale mund të përfitojnë edhe nga asistenca psiko-sociale e ofruar online.
Në partneritet me Qeverinë Suedeze, në kontekst të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “T’i japim fund dhunës ndaj grave,” UNDP mbështet përpjekjet e qeverisë për të forcuar kuadrin ligjor dhe institucionet, për të përmirësuar shërbimet për të mbijetuarat dhe për të adresuar shkaqet që qëndrojnë në themel të dhunës duke sfiduar normat sociale dhe sjelljet e shoqërisë, si dhe duke trajtuar pabarazitë më të mëdha gjinore. Premtimi i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për të mos lënë askënd pas nuk mund të përmbushet pa i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Kjo pandemi është sfiduese dhe qëndrimi në shtëpi mund të jetë i vështirë për viktimat e dhunës në familje. Por ka lajme të mira: Ndihmë ka. Kërko ndihmë.